E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet tifozi i vdekur

Kishte një javë që zhdukja e tij kishte ngritur në këmbë policinë polake. Një tifoz irlandez nuk gjendej e nuk gjendej, por më në fund agjentët ia arritën të zbulonin trupin e tifozit të quajtur Nolan Xhejms, duke konfirmuar atë që i trembeshin të gjithë: vdekjen e njeriut fatkeq.
Xhejms kishte ardhur në Poloni për të ndjekur skuadrën e tij të zemrës kur humbi papritmas, ndërsa policia zbuloi se për habi asnjë send me vlerë nuk ishte marrë nga rrobat e tij.
Njëri nga hetuesit, i quajtur Vlodimierz Marshalkovski, deklaroi për mediat se “trupi i të ndjerit u gjet në një kanal lumor në Bidgoshç”. “Dokumentet, paratë dhe telefoni celular u gjetën në trup, - vazhdoi ai, - nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se ka ndodhur diçka e keqe”.
Policia po punon intensivisht, ndërsa Marshalkovski vazhdon sqarimin duke thënë se “është tepër shpejt për të thënë diçka, por nuk ka shenja dhune në trup, nuk duket se ka pasur përleshje dhe po ashtu nuk ka pasur vjedhje. Ndaj, ne besojmë se vdekja ka qenë një lloj aksidenti”.
I ndjeri Nolan kishte zgjedhur të qëndronte në një hotel në qytetin e vogël të Bidgoshçit, në mes të qyteteve të Gdanskut dhe Poznanit, ku përfaqësuesja irlandeze zhvilloi ndeshjet e saj në grupin C.
Në Poloni pati disa raste dhune të tifozëve, sidomos të atyre rusë dhe polakë, por gjithsesi vdekja e këtij irlandezi mund të quhet si episodi më i rëndë i deritanishëm gjatë kampionatit europian, që ende i vazhdon ndeshjet e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›