E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portugalia ne gjysmefinale

Mjaftoi një gol, vetëm një tundje rrjetë dhe Portugalia siguroi kualifikimin për në gjysmëfinalen e Euro 2012-ës. Kristiano Ronaldo u ngjit në lartësinë që e donte detyra duke realizuar në minutën e 79-të dhe duke i dhënë skuadrës së tij fitoren e vështirë, por tërësisht të merituar.
Përballë Çekisë, luzitanët patën epërsi thuajse nga fillimi deri në fund, por e patën shumë të vështirë ta dërgonin topin në rrjetë.
Gjithsesi, momentet e para të mira të ndeshjes i pati skuadra çeke, e cila iu afrua golit me anë të sulmuesit Barosh, por ai nuk arriti të prekte topin e krosuar nga Derida.
Ndonëse pa kapitenin Rosicki, sërish ata vazhduan të luanin fort dhe 10 minuta më vonë rrezikuan për së dyti, me anë të mbrojtësit Gebre selasi. Shpëtimtar i portës u bë Pepe.
Pastaj nisi furtuna e Ronaldos. Ylli i Realit provoi radhazi në minutat 34-ët e 35-të me gjuajtjet e tij të rrezikshme, por pa arritur të gjejë dot golin. Gjithsesi, kulmi i pjesës së parë ishte në minutën e dytë shtesë, kur sërish Ronaldo provoi me një aksion spektakolar individual dhe goditi shtyllën e portierit Çeh.
Pjesa e dytë nisi sërish me epërsinë “luzitane”. Porta çeke u trondit sërish në minutën e 50-të kur Kristiano Ronaldo rrahu shtyllën e dytë, këtë herë nga goditja e dënimit.
Nuk kaluan shumë minuta dhe Ronaldo provoi sërish duke hyrë në zonë dhe duke gjuajtur, por tentativa e tij ishte tërësisht e gabuar. Portugezët u gëzuan në 58’ kur Hugo Almeida shënoi, por ai ishte në pozicion jashtë loje në kohën kur topi u krosua nga e djathta, ndaj goli u anulua me të drejtë.
Gjithsesi, s’kishte asgjë që mund t’i ndalte djemtë e Bentos dhe në 74’ ishte Nani që thuajse shënoi, por porta shpëtoi nga devijimi i topit i bërë nga mbrojtësi Kadlec.
Më në fund, goli erdhi në minutën e 79-të, vetëm pak sekonda pasi Jiraçek ndërmori një aksion të guximshëm personal për të lehtësuar presionin mbi të vetët.
Ronaldo shënoi golin e tij të tretë në këtë Europian, tepër të rëndësishëm dhe një nga tifozët e veçantë portugezë në stadiumin e Varshavës ishte edhe Luis Figo, ish-ylli i madh që nuk pati fatin ta fitonte Europianin kur ishte në fushë.
Tani, Portugalia tani do të presë çerekfinalen e së shtunës mes Spanjës dhe Francës për të mësuar kundërshtarin e gjysmëfinales.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›