Angli, lehtësohen procedurat për vende pune për emigrantët
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur që emigrantët të cilët vijnë nga vendet jo anëtare të Bashkimit Evropian, ta kenë më të lehtë të sigurojnë një vend pune. Në fakt, bëhet fjalë për emigrantët e kualifikuar, të cilët sjellin një pagë vjetore më të lartë se 40 mijë Paund. Kështu specialisti pranë Zyrës së Emigracionit në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi shpjegon se nga informacioni që kanë marrë, Anglia mund të shqyrtojë lehtësimin e rregullave për punëtorët e huaj, që realizojnë paga të larta, shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së. “Duke filluar nga korrik 2008, punëdhënësit në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të jenë të detyruar të ofrojnë më së pari vende pune për punëtorë britanikë dhe nga Zona Ekonomike Evropiane, të cilat sjellin një pagë vjetore më të lartë se 40 mijë Paund”,- pohon Hatibi. Ndërkohë ai shpjegon se aktualisht, punëdhënësit duhet të plotësojnë një Test Rezidenti të Tregut të Punës, sipas të cilit, ato detyrohen të bëjnë publik vendin e punës, duke ia ofruar më së pari shtetasve britanikë dhe atyre nga Zona Ekonomike Evropiane, para se t’ia ofrojnë një shtetasi nga shtete jo anëtare të BE-së. Nëse plotësohet kjo kërkesë, vetëm atëherë punëtori emigrant i huaj, tepër i kualifikuar, mund të pajiset me leje pune. Por tashmë këto rregulla nuk do të jenë kështu pasi punëdhënësi mund t’ua ofrojë vendet e punës edhe emigrantëve që nuk janë nga vendet anëtare të BE-së. Megjithatë specialistët theksojnë se punëdhënësit anglezë, këto lehtësira do t’i ofrojnë vetëm për emigrantët e kualifikuar. Sipas Hatibit, pragu i pagës do të vendoset në tre muajt e ardhshëm, por shifra më e përmendur sillet rreth 40 mijë Paundëve. Po kështu, bëhet e ditur se punëdhënësit mund ta anashkalojnë testin e Rezidentit të Tregut të Punës për punëtorët e huaj, që realizojnë paga të larta mbi pragun vjetor 50 mijë Paund, por ky punëtor duhet të jetë punësuar në nivelin e “bordit” apo të një niveli të barabartë.