Bregu: Shqipëria renditet e 56 për lirinë ekonomike
Raporti i publikuar nga “Heritage Foundation” rendit Shqipërinë të 56-ën, ndër 157 vende
“Raporti i publikuar së fundmi nga “Heritage Foundation, mbi lirinë e sistemit ekonomik, rendit Shqipërinë të 56-ën, ndër 157 vende të të gjithë botës. Është një rezultat i mirë, një tregues i rëndësishëm i reformave të ndërmarra nga qeveria në përmirësimin e klimës së biznesit, reformën në sistemin fiskal e më tej”.
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka vlerësuar gjatë ditës së djeshme raportin për lirinë ekonomike, që e rendit Shqipërinë në nivele të kënaqshme përsa i përket këtij treguesi. “Raporti i publikuar së fundmi nga “Heritage Foundation”, mbi lirinë e sistemit ekonomik, rendit Shqipërinë të 56-ën, ndër 157 vende të të gjithë botës. Është një rezultat i mirë, një tregues i rëndësishëm i reformave të ndërmarra nga qeveria në përmirësimin e klimës së biznesit, reformën në sistemin fiskal e më tej. Raporti, ndër më prestigjiozët e llojit të tij, merr në konsideratë 10 komponentë, të cilët përllogarisin në mënyrë të ponderuar indeksin e lirisë së sistemit ekonomik. Shqipëria në mënyrë të veçantë, siç cilësohet edhe në raport, ka njohur një përmirësim të ndjeshëm në dy vitet e fundit, 2006-2007, dhe sidomos në treguesit e lirisë për investime, lirisë fiskale dhe monetare”,- ka deklaruar Bregu. Sipas ministres së Integrimit, janë disa nga fushat që kanë bërë që ky tregues të pësojë një rritje të ndjeshme gjatë këtyre dy viteve. “Veçanërisht në këto tre indikatorë që masin investimet, fiskalitetin dhe paranë, Shqipëria është në mesataren e vendeve më të zhvilluara në nivel botëror, madje lë mbrapa në klasifikim edhe vende shumë të zhvilluara të BE-së (si p.sh., Greqinë). Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka përmirësuar rezultatin e saj të përgjithshëm me afërsisht 4%; nga 58.7% në vitin 2005, në 62.4% në vitin 2007. Parashikimi për vitin 2008 nga vetë hartuesit e raportit është gjithashtu optimist. Ai shkon në 63.3%, por ne mendojmë se shifra reale do të jetë më e lartë se kaq. Dua veçanërisht të theksoj faktin se, të dhënat e përdorura në disa prej indikatorëve p.sh., në atë të “lirisë së biznesit” dhe “lirisë së tregut” nuk pasqyrojnë reformat e fundit të ndërmarra; më specifikisht nuk pasqyrohet realizimi i “One-Stop-Shop” për regjistrimin në një ditë të vetme të biznesit apo të tjera reforma”,- tha Bregu. Sipas Bregut, Reforma Rregullatore, sidomos në sistemin e licencimit ka sjellë reduktimin e ndjeshëm të ngarkesës administrative, numrit të procedurave që një biznes duhet të përmbushë. Një nga treguesit e marrë në këtë vlerësim është korrupsioni që mbetet në nivele të larta, pavarësisht deklaratave të qeverisë. “Megjithëse pohohen qartazi arritjet e bëra në reduktimin e tij, ne e njohim këtë problem dhe e dimë se kemi ende shumë për të bërë, për të arritur në nivele të kënaqshme. Kjo është arsyeja që lufta kundër tij është shpallur prioritet kryesor i qeverisjes së kësaj mazhorance. Do të desha gjithashtu të shpreh vendosmërinë e kësaj qeverie, për të thelluar reformat e nisura, për të përmirësuar shërbimet dhe klimën pro-biznes. Ky do të vazhdojë të jetë prioritet kryesor i vitit 2008 , e sigurisht që do të bëjë të mundur një përmirësim edhe më të madh dhe renditje edhe më të lartë të Shqipërisë, në raportin e radhës të “Heritage Foundation”,- tha Bregu.
Afatet mesatare
• Afati mesatar për marrjen e një licence është 30 ditë:
• Afati i lejes më të gjatë është 90 ditë (vetëm leja e shfrytëzimit minerar dhe ajo mjedisore)
• Afati i lejes më të shkurtër është 20 ditë (p.sh., farmacia dhe stomatologjia)• Numri mesatar i dokumenteve/procedurave është 8, më e madhja 12 (si për shembull leja ushqimore) më e ulëta 4 (si për shembull peshkimi, turizmi etj).