E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët:Fadroma në Gërdec, urdhri i Luan Hoxhës



TIRANE – Katër dëshmitarë, punonjës së strukturave të ushtrisë, dëshmuan dje procesin gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve si përgjegjës të shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec në lidhje me fadromën e përdorur në fabrikën e demontimit. Dëshmitarja Valbona Idrizi, ekonomiste në Batalionin e Xhenios tha se në zyrën e saj kishte kaluar një kontratë e njëanshme mes Batalionit dhe MEICO-s për një fadrome. “Kontrata ka qenë e firmosur vetëm nga reparti 4501, Batalioni i Xhenios, ndërsa nuk ishte firmosur nga qiramarrësi MEICO. Nuk është likuiduar, pasi ishte firmosur vetëm nga njëra anë”, tha dëshmitarja. Në përgjigje të pyetjeve të të pandehurit Ylli Pinari, dëshmitarja tha se “i kemi paraqitur kërkesë zyrtare MEICO-s për shlyerjen e kontratës së qirasë, por nuk kemi dërguar faturë”. Dëshmitari Vladimi Dushi, ish-zëvendës komandant i Batalionit Xheniero-Ndërtues tha se kishte lidhur një kontratë 2 javore me MEICO-n për fadromën. Sipas dëshmitarit, struktura e tij kishte një draft urdhër për dhënien me qira të fadromës, por në vijim ishin vënë në dijeni që mjeti do të ishte në dispozicion të MEICO-s. “Në janar 2008 erdhi urdhri për vënien në dispozicion. Urdhri ka qenë i saktë dhe i detajuar. Sipas urdhrit specifikohej që detyrimet për mjetin dhe drejtuesin e saj i kishte MEICO. Me sa di unë fadroma ka ikur në Gërdec në 24 janar 2008, ndërsa urdhri nga ne është nxjerrë në 25 janar. Kjo mospërputhje ka ardhur pasi në telefon komandanti i regjimentit më tha që urdhri ishte gati”, u shpreh dëshmitari Dushi. Dëshmitarja Nafie Hoxhafi, specialiste e planifikimit në Seksionin e Logjistikës, tha se ishte njohur me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm për vënien në dispozicion të një fadrome, MEICO-s dhe kishte ndjekur praktikat ligjore për zbatimin e tij. Ndërsa dëshmitari Hekuran Rrapaj, ish-komandant i Brigadës së Transportit në periudhën 2007-2008 tha dje se transporti i municioneve për në Gërdec bëhej në varësi të grafikëve, që bëheshin çdo fundjavë, për javën pasardhëse. Po dje Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për heqjen e sekuestros së municioneve që ndodhen aktualisht në ish-fabrikën e demontimit në Gërdec. Sipas prokurorisë, për shkak të gjendjes së tyre dhe rritjes së temperaturave, ato përbënin një rrezik për zonën. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›