Inspektori i naftës: Shefi më kërkoi të marr ryshfet
Armand Bajrami
Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për drejtorin e Inspektoratit të Kontrollit të Karburanteve, Virgjil Joti dhe vartësin i tij, Kastriot Llakaj, të arrestuar pak ditë më parë për korrupsion. Për inspektorin tjetër të kësaj drejtorie Luan Qato, gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” kundrejt një garancie pasurore prej 500 mijë lekësh. Tre zyrtarët e Inspektoratit të Kontrollit të Karburanteve, u paraqitën dje në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë. Para gjykatës ata dhanë versionet e tyre mbi akuzën e korrupsionit ngritur nga Njësia Task Force në Prokurori. Para togave të zeza të Gjykatës së kryeqytetit, të pandehurit kanë pretenduar pafajësi dhe kanë kërkuar masë më të lehtë sigurie se ajo e “arrestit me burg”. Prokurori i çështjes kërkoi lënien në burg të të pandehurve Joti dhe Llaka, ndërsa detyrim për paraqitje për të pandehurin Qato. Gjykata vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e të pandehurve dhe pranoi kërkesën e Prokurorisë për masat e sigurisë ndaj tyre.
“Porosia për shefin”
Nga qelia e sallës së gjyqit, inspektori i Drejtorisë së Kontrollit të Karburanteve, Kastriot Llakaj, pranoi dje të kishte marrë një zarf me 17 mijë dollarë, por se ato i përkisnin shefit të tij Virgjil Joti. Gjatë seancës ai ka rrëfyer në mënyrë kronologjike se si kishte kontaktuar me tregtarin nga Vlora, si kishte marrë zarfin me para dhe si ishte kërcënuar nga eprori i tij për t’i dërguar “porosinë”. Sipas deklarimeve të tij në seancë për shumën e parave nëpër telefonata të pandehurit përdornin termin “goma”. Burime brenda seancës sqaruan se duke iu referuar tregtarit I.B., që bëri kallëzimin ndaj zyrtarëve, tha dje në Gjykatë se sipërmarrësi i ka kërkuar që: “këto 20 mijë dollarë do t’i jepeshin Virgjil Jotit”. I dyshuari Llakaj, ka pohuar se ai dhe kolegu i tij inspektor ishin viktima. “Unë kam gjashtë vjet në institucion. Nuk është folur asnjëherë se jam marrë me probleme të tilla. Më ndryshimin e qeverive nuk më kanë hequr nga detyra. Detyra ime është të marr kampionin dhe ta sjell në laborator. Kurse kampioni merret në varësi nga dogana dhe ne jemi tre inspektorë. Detyra ime përfundon me marrjen e kampionit. Janë të tjerë ata që kthejnë përgjigje. Unë dhe Luan Qato jemi viktima të I.B”, mësohet të jetë shprehur i pandehuri. Gjatë deklarimit të tij, Llakaj është shprehur se kontaktin e parë me tregtarin e kishte pasur në Fier. “Takimi i parë me të ishte para katër ditësh në Fier. është diskutuar se pse i vonoheshin anijet. Më telefonoi më parë dhe më tha: do të jap porosi për shefin, dy ‘goma’. Më tha se pasi i kishte thënë problemin e anijes i kishte kërkuar 10 mijë dollarë për një rrugë dhe 10 mijë për një rrugë tjetër. Ne i thamë që do të respektonim ligjin dhe vetëm ligjin”. Sipas Llakajt, në ditët në vijim, për shkak të një fatkeqësie që i kishte ndodhur tregtarit I.B. ata i kishin telefonuar eprorit të tyre. “E morëm Virgjilin në telefon dhe i thashë: gomat nuk i sjellim nesër, se I.B. kishte një rast vdekjeje. Virgjili më tha: do ta mbarosh porosinë, apo ke qef të ikësh nga puna! Unë dhe Luani i thamë I.B. që të mos i jepte asnjë lek. U ndamë nga ai. Na tha që do të takoheshim më vonë, se do na jepte porosinë e shefit. Të nesërmen vijmë në Tiranë. Erdhëm rreth orës 10:00-11:00. Do të shkonim tek “Ali Demi”. Në këtë moment më merr I.B. në telefon. Më tha: Jam në Tiranë, do të jap porosinë e shefit. Do të takoheshim tek 15-katëshi. Kur shkuam aty pamë që I.B. kishte nën sqetull një zarf. Më tha: Do të flasim në makinë. U futëm në makinë dhe ai na tregoi paratë në zarf dhe tha: kjo është porosia e shefit. Ai po na ngacmonte me fjalë, të dilnim aty ku donte ai, se mbase po na regjistronte. Ne prapë këmbëngulëm, që nëse ishte për anije ‘mos i jep lekë’, është shprehur Llakaj. Më pas ai ka rrëfyer momentin e arrestimit duke thënë se “unë dhe Luani jemi viktimat. Se ç’mardhënie ka I.B. me shefin, ta thotë vetë ai”.
Ish-kryeinspektori: Biznesmeni më kërcënoi me jetë
TIRANE – Ish-kryeinspektori Virgjil Joti, i vënë nën akuzë për “korrupsion”, është shprehur dje se ka zbatuar vetëm ligjin dhe se gjithçka kundër tij është e sajuar. Duke pretenduar për trajtim jo të denjë nga policia, i dyshuari Joti, ka pohuar se ishte kërcënuar deri me jetë nga tregtari I.B., për shkak se nuk pranonte para nga ai. “Jo vetëm në emrin tim, por edhe të inspektorëve ndjehem i zhgënjyer se si jam prangosur, se si jam dhunuar. çuditem me veten si ka mundësi që strukturat e policisë sillen kështu me njerëz të arsimuar si të ishin njerëz të inkriminuar që merren me drogë. Me një biznes gazi në Vlorë, “Kalaja sh.p.k” që kërkon të na imponojë punën tonë. Që në fillim të punës është prishur rehatia e bizneseve të importit dhe të vendit. Dy javë të fillimit të punës më mori në tel I. dhe u takuam tek ETC në Tiranë. Nuk e njihja, vetëm lamë një takim. Duke pirë kafe, më tha: “Jam I.B. merrem me gaz. Kështu kam punuar dhe me të tjerë. Të ofroj 10 mijë dollarë dhe pse punoj pastër”. Ky ishte takimi i vetëm” ka deklaruar i pandehuri. Sipas deklarimit të Jotit, tregtari i gazit e kishte kontaktuar atë edhe në vijim nëpërmjet mesazheve në telefon. “Më vonë më vjen një informacion me mesazh, ku thuhej se në filan vend ka dhoma të fshehta që jepet gaz i pastër. Asnjëherë se ka pasur vendin e mostrës të pastër. I marrim mostër me sfetë. Ky ishte kontakti i dytë. Nga janari më kërcënoi me sms me jetë. Për këtë kam bërë edhe një kallëzim në policinë e Tiranës. Pas këtij veprimi ka çuar njerëz për të më ofruar para, por unë i kam ndërprerë çdo lloj mardhënieje. I kam thënë: vetëm duhet të punosh pastër. Ka ardhur edhe me H.ç., një ish-tregtar gazi para një jave, apo 10 ditëve. Nuk kam lejuar të bëjnë manovra me gazin. Unë jap leje për çdoganim”, mësohet të jetë shprehur Joti. Po dje i pandehuri ka pretenduar se “Nuk ka pasur pengesa procedurale, përveç procedurës së parashikuar nga ligji. Nga ana e cilësisë është bërë analiza nga stafi dhe është me firmën time, sepse unë i besoj këtij stafi. Gjërat i ka sajuar autori i ngjarjes. Nëse policia do të na kishte lënë, ky do të ishte një objekt denoncimi”. ar.ba