E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: Viti 2005, realizimi i pavarësisë së Kosovës

26/12/2004  Pavarësia e Kosovës tashmë do të jetë një çështje kohe dhe në varësi të përmbushjes së standardeve të caktuara nga ndërkombëtarët. Me këtë qëndrim janë bashkuar kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi të zhvilluar në Prishtinë. Sipas kreut të LSI-së, "pavarësia e Kosovës nuk duhet t’i shërbejë vetëm aspiratës së popullit, apo vetëm synimit për zgjerimin fizik të BE-së, por duhet t’i shërbejë edhe stabilitetit në rajon dhe afirmimit të vlerave që përfaqëson Bashkimi Evropian". Me rastin e festave të fundvitit, Meta ka shprehur urimin që popullin e Kosovës ta ketë vitin 2005 "vit të realizimit të dëshirës për pavarësi".

Takimi

Takimi Meta-Haradinaj ka kaluar në një frymë mirëkuptimi, ku bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendimet e tyre lidhur me situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri. Nga ana e tij, Meta ka shprehur besimin se "qeveria e Kosovës do të shënojë një progres të qartë në plotësimin e standardeve dhe në integrimin e Kosovës në Evropë. Forcimi i aftësive vetëqeverisëse si dhe arritja e standardeve të bashkëjetesës ndëretnike e përshpejton arritjen e pavarësisë evropiane të Kosovës". Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar mbështetjen që i është dhënë çështjes së statusit të Kosovës nga qeveria dhe popullit shqiptar. Sipas tij, kontributi ka shërbyer "për të çuar më tej integrimin evropian të të dy vendeve tona". Gjithashtu, Haradinaj ka garantuar bashkëpunimim e mëtejshëm me kreun e LSI-së në funksion të thellimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, "kjo mbështetje është e shumanëshme dhe takimi është në këtë rend që "ta thellojmë bashkëpunimin dhe të mund të veprojmë më efektivisht, në mënyrë që, siç e tha edhe zoti Meta, Kosova të ecë përpara në synimet që ka", tha Haradinaj.

Thaçi

Lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim të posaçëm me kreun e LSI-së gjatë vizitës që ky i fundit ka bërë në Kosovë. Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i të gjitha forcave politike të Kosovës është parë si e vetmja mundësi për ndërtimin e një shteti evropian. Meta, duke shprehur mbështetjen e forcës politike që përfaqëson, ka vlerësuar dhe proceset transformuese dhe reformave që janë inicuar në Kosovë. Gjithashtu, ai ka theksuar rëndësinë e veçantë të opozitës për konsolidimin institucional dhe funksionimin normal të demokracisë në vend. Kjo është vizita e parë e Metës në Kosovë si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke shënuar një mbështetje nga faktori politik atje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›