E Hënë, 2 Nëntor 2026

Terrorizmi/ Projekte për stërvitjen e popullsisë

26/12/2004  Specialistët e qeverisë shqiptare kanë kërkuar në planin strategjik të emergjencave civile, përgatitjen e masave në përballimin e akteve terroriste, tërmeteve apo fatkeqësive të tjera. Në planin strategjik, që është miratuar tashmë nga qeveria, janë parashikuar dhe hapat që do të ndërmerren në rast të një akti terrorist. Sipas parashikimit, brenda 24 deri në 48 orë nga një ngjarje, do të shpëtohet pjesa më e madhe e personave që mund të jenë të izoluar. Ndërsa është kërkuar që mediat dhe institucioinet e tjera të marrin masat për të informuar publikun mbi vendndodhjet e sigurta.

Terrorizmi

"Duhet të theksohet se Shqipëria nuk ka përjetuar ndonjë sulm terrorist dhe, në përgjithësi, nuk konsiderohet si një vend me rrezik të veçantë për sulme të tilla. Sidoqotë, ngjarjet e sulmeve terroriste janë rritur. Eksperienca e fundit në Kenia, Spanjë dhe në Turqi, demonstrojnë se ky rrezik është më evident se më parë", thunet në vendimin e qeverisë. Ekspertiza e akteve terroriste dhe parandalimi i tyre, realizohet nëpërmjet një pune shumë të specializuar, ku përfshihen (shërbimet sekrete) njësi të specializuara të policisë dhe të forcave të armatosura. Shpesh në këtë proces përfshihen dhe rrjetet ndërkombëtare. Ekspertët kanë parashikuar rehabilitimin e të gjithë vendstrehimeve, që mund të përdoren në rast të një akti terrorist, apo të një fatkeqësie tjetër. Në këtë mënyrë pritet të merren masat dhe për pastrimin dhe evidentimin e të gjithë tuneleve të vendstrehimeve të ndërtuara gjatë periudhës së diktaturës.

Masat

Sipas draftit të miratuar, procedurat e evakuimit, planet, informimi i publikut, identifikimi i strehimit të sigurtë dhe asistenca humanitare për emergjencat, mbështetja logjistike dhe përgjegjësitë e tjera, duhet të jenë në një projekt të qartë prej strukturave përkatëse. Në rastet kur ka paralajmërim, zakonisht ka përparësi evakuimi të shpejtë dhe të sigurtë si dhe izolimi i zonës së caktuar. "Duke parë se për skenarët dhe emergjencat që mund të shkaktohen nga aktet terroriste nuk mund të kenë një terren të caktuar, mund të zhvillohen tipe, duke i kushtuar vëmendje dhe rëndësi përdorimit të strukturave në situata konkrete", thuhet në vendim.

Siguria

"Mbajtja e rendit publik dhe dhënia e një informacioni të shpejtë dhe të saktë, është shumë i rëndësishëm për të vendosur qetësinë, ulur konfuzionin e mëtejshëm si dhe që të mos shkaktohen viktima të tjera", përcaktohet në strategji. Në rastet e evakuimeve, popullsia duhet të njoftohet me mesazhe të shkurtra dhe të qarta mbi vendndodhjet e sigurta.

Për tërmetet, stërvitje në vende të rrezikuara

Në planin strategjik të emergjencave janë parashikuar stërvitje në zona të veçanta, që mund të preken nga tërmetet. Ekspertët kanë vlerësuar se "paralajmërimi në kohë, në përgjithësi, nuk është i mundur në rastet e tërmeteve apo goditjeve sizmike. Por është e mundur që të bëhen përgatitje në zona të veçanta dhe të identifikuara si zona me rrezik të lartë sizmik", thuhet në draft. Në plan përcaktohet se ndërgjegjësimi i publikut për atë çfarë duhet bërë në momentet e para të tërmeteve, ose të goditjeve sizmike, është shumë i rëndësishëm për shpëtimin e jetës. Për këtë qëllim duhet të përdoren të gjitha mjetet e informimit të publikut dhe institucioneve përkatëse. Shkollat, administrata publike, spitalet etj., duhet të angazhohen në shpërndarjen e mesazheve të thjeshta dhe të kuptueshme nëpërmjet të gjitha mjeteve të komunikimit. Planet e përballimit të emergjencave duhet të praktikohen dhe nëpërmjet stërvitjeve stimuluese në terren. Gjithashtu është kërkuar që në raste të tillë të jenë në gatishmëri spitalet dhe ambientet e tjera për ndihmat humanitare. Ndërsa nuk është harruar të theksohet se, organizmat përkatëse të përballimit të situatave të emergjencave civile të kërkojnë dhe ndihmën e strukturave ndërkombëtare apo të shteteve fqinjë. Një tjetër mundësi e përballimit të situatave të tragjedive nga tërmetet është dhe bashkëpunimi me popullsinë dhe angazhimi i strukturave përkatëse. Ndaj dhe është kërkuar përgatitja e stërvitjeve stimuluese. Rëndësi ka garantimi i qetësisë.

Përgatitjet në terren dhe në tryezë

Stërvitja në tryezë është konsideruar në planin e miratuar prej qeverisë si një ushtrim i thjeshtë, i cili kërkon një përgatitje dhe shpenzime minimale. Kjo procedurë konsiderohet efektive për trajnimin e stafeve të të gjithë niveleve, si në stafet operacionale, ashtu dhe në ata vendimmarrës. Në këtë janë renditur efektet në bashkëpunimin mes forcave të angazhuara, ndarjen e përgjegjësive, prioritetet e lehtësimit pas situatës së emergjencës dhe çështje të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me parandalimin dhe përballimin e situatës deri në kalimin e emergjencës. Në këtë stërvitje lejohen dhe gabimet, pasi nuk sjellin pasoja. Megjithatë, kjo shërben për korrigjimet, të cilat në këtë rast bëhen lehtë. Në këtë situatë ka një efekt të madh fantazia në zgjidhjen e situatave dhe mënyra e ndarjes së detyrave. Stërvitja në terren është konsideruar si një stimulim me shtrirje më të gjerë, ku mund të përfshihen dhe grupe të popullsisë. Stërvitjet në shkallë të gjerë janë nivel më i lartë i stërvitjeve dhe shkalla më e lartë e një programi të përgjithshëm trajnimi. "Kjo kërkon planifikimin më të mirë, burime dhe kapacitete më të shumta si dhe kohë e vullnet për t'i përgatitur dhe zhvilluar", thuhet në planin e veprimit, që është miratuar prej qeverisë dhe që pritet të kalojë për diskutim dhe votim në Parlament. Në këto stërvitje bëhet testimi i planeve të aprovuara si dhe të elementëve që kanë bazën organizative në një situatë thuajse pranë asaj reale dhe në një ambient tejet të rënduar. "Mobilizimi fizik dhe lëvizja e personelit dhe e kapaciteteve, janë të nevojshme për të demonstruar aftësinë e bashkërendimit të detyrave, të përgjigjes dhe të rikthimit në normalitet pas situatës së emergjencës", përcaktohet në draft.

Veprimet e menjëhershme

Veprimet e menjëhershme në kërkim-shpëtimi në rastet e emergjencave. Ndërmerren kryesisht nga komuniteti i prekur, ku pjesa më e madhe e njerëzve, sipas statistikave, shpëtohen nga familjarët, të afërmit ose fqinjët. Procedurë e menjëhershme konsiderohet dhe trajtimi mjekësor i të dëmtuarve, në rast të një tërmeti apo të një tragjedie tjetër. Ekspertët kanë kërkuar përgatitjen e një plan-veprimi të viktimave në masë. Pas qetësimit të situatës, nis dhe vlerësimi i dëmeve. Minimalisht parashikohet që operacionet e shpëtimit do të zgjasin 65 orë dhe më shumë. Ndërsa 24-48 orët e para janë konsideruar "orët e arta", pasi gjatë kësaj periudhe shpëton shumica e të dëmtuarve apo dhe e të izoluarve. Në rastet kur dëmet janë të mëdha, atëherë kërkohet bashkëpunimi dhe me organizata ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›