E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Kodi ta kalojë bashkë me ndarjen zgjedhore

26/12/2004  Partia Demokratike deklaron se nuk do të lejojë të kalojë në Parlament Kodi Zgjedhor, i cili kërkon kartonat e 84 deputetëve, në rast se bashkë me kodin nuk kalon dhe ndarja zonale. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Bamir Topi, ka thënë dje se në rast se socialistët bllokojnë ndarjen e re zonale, atëherë demokratët do të përdorin votën kundër për miratimin e Kodit të ri zgjedhor. Sipas tij, socialistët nuk plotësojnë dot kuorumin e nevojshëm të votave për të kaluar Kodin Zgjedhor. "Fakti që Kodi Zgjedhor kalon me tre të pestat e votës së parlamentarëve dhe ligji për ndarjen zonale kalon me një shumicë të thjeshtë, meqenëse mungon dhe klima e besimit në mënyrë absolute nga mazhoranca, ne kërkuam që të dy këto projektligje të jenë pjesë e një pakete, që të kalojë në mënyrë integrale. Këtu ndërthuret e para me të dytën, pra nuk ka asnjë lloj shansi që të kalojë njëra pa tjetrën", tha Topi. Sipas kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, është e papranueshme që diferenca e votuesve nga njëra zonë në tjetrën të jetë më shumë se 50%. "Esenca është që nuk ka asnjë lloj marrëveshjeje, pasi mbi bazën e pozicionit që ka marrë PS-ja, i jep asaj mundësinë që në mënyrë të pamerituar të fusë në xhep 5 deri në 6 zona. Eshtë e papranueshme që një zonë të ketë deri në 40 mijë zgjedhës për një deputet, kurse një tjetër deri në 19 mijë. Pra janë zgjidhje të papranueshme", tha Topi. Kundërpërgjigjja e demokratëve këtë herë duket se ka të bëjë me kartonat e munguar të mazhorancës, për ta miratuar e vetme Kodin Zgjedhor. Në këtë iniciativë të tyre, demokratët mbështeten dhe nga një sërë partish të vogla, që e kanë kundërshtuar hartimin e Kodit të hartuar nga PS-ja dhe PD-ja në komision, pasi, sipas tyre, ky kod lë shteg për manipulime në kurriz të partive të vogla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›