E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE: Po dështoni zgjedhjet

25/12/2004  Prezenca e OSBE-së dhe ODIHR-i kanë shprehur shqetësimin e tyre për mosmiratimin nga forcat politike të ndryshimeve në ligjin zgjedhor. Dështimi i negociatave të djeshme dhe vonesa në miratimin e ndryshimeve, të pranuara më parë me konsensus nga Komisioni Parlamentar "ad hoc" për Reformën Zgjedhore, sipas deklaratës së dalë nga zyrat e OSBE-së "mund të rrezikojë përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme në përputhje me standardet ndërkombëtare". Duke argumentuar dështimin e punës për reformën zgjedhore, Prezenca thekson se "dështimi erdhi si rezultat i mosmarrëveshjeve nga partitë politike, lidhur me ndarjen e re të zonave zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005". Ndërkohë, përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it i kanë bërë thirrje partive politike të spektrit shqiptar që "të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, të tregojnë gatishmëri për marrëveshje e të gjejnë zgjidhje të dobishme për çështjen e rëndësishme të zonave zgjedhore". Konsensusi mes forcave kryesore politike në vend duhet të arrihet me fillimin e sesionit të ri legjislativ të Kuvendit, për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Gjithashtu, Prezenca është treguar e gatshme për të ofruar ekspertizën e saj juridike si dhe do të vazhdojë ta ndjekë procesin për reformën zgjedhore nga afër. Gjithashtu përfaqësuesit e OSBE-së nuk e kanë cilësuar si një dështim total të përpjekjeve të tyre për reformën zgjedhore, pasi është regjistruar dhe një konsesnus për disa çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›