"Ish-gruaja më zuri pritë, u vetëmbrojta me thikë"
MASA/ Edmir Mehja u paraqit dje në gjykatë ku hodhi poshtë akuzën e ngritur ndaj tij nga prokuroria
SHKODËR - "Ish-gruaja ime më kishte zënë pritë dhe tentoi të më qëllojë me thikë. Unë arrita t'ia merrja thikën nga dora dhe e qëllova vetëm për të mbrojtur veten". Kështu u shpreh para togave të zeza 27-vjeçari Edmir Mehja, i akuzuar për "vrasje me dashje të mbetur në tentativë".
Pas dëgjimit të provave të paraqitura nga prokuroria dhe pretendimeve të mbrojtjes, gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për 27-vjeçarin deri në përfundim të hetimeve. Gjithçka ka ndodhur tri ditë më parë. Ka qenë ora rreth 10:30 e së premtes, koha kur Silvana Lami (Mehja), 22 vjeçe, ka qenë duke ecur rrugës bashkë me motrën e saj.
Dy të rejat ishin në afërsi të sheshit "Isa Boletini", në udhëkryqin që të çon drejt lagjes "Parrucë". Edmir Mehaj, 26 vjeç, ish-bashkëshorti, me të cilin kishte pak kohë që ishte ndarë është shfaqur para tyre me motoçikletë. Ai ka ndaluar dhe pasi ka parkuar mjetin i është drejtuar vajzës me fjalët: "Pse s'më përgjigjesh në telefon?".
Më tej ka nxjerrë një thikë dhe me të e ka goditur ish-të fejuarën një herë në shpatull nga pas e pastaj është larguar me vrap duke lënë në vendin e ngjarjes edhe motoçikletën e rrëzuar.
Ka qenë motra e së plagosurës ajo që ka dhënë alarmin, ndërsa persona të rastësishëm e kanë transportuar vajzën për në spitalin e Shkodrës, ndërsa 27-vjeçari është arrestuar disa orë më pas në afërsi të fshatit Kuç.
Problemet mes çiftit Edmir Mehja nga fshati Berdicë e Sipërme dhe Silvana Lami (Mehja) nga fshati Trush, kanë qenë të pranishme dhe më parë në dyert e policisë e gjykatës. Kështu, më 12 shkurt 2009, gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër, me vendimin nr.73, ka vendosur pushimin e gjykimit për të Silvana Mehjan (Lami) e akuzuar nga prokuroria për veprën penale të "plagosjes së lehtë me dashje".
Sipas gjykatës, çështja është pushuar me kërkesë të prokurorit Avni Kraja, pasi vetë i dëmtuari Edmir Mehja e ka tërhequr ankimin.