Anglia si Chelsea

Frank Lampard beson se Anglia mund të përsërisë suksesin e Chelseas nga sezoni i fundit duke triumfuar në Euro 2012.
Anglia e nis fushatën e saj në garën kontinentale me duelin kundër Francës të hënën në kuadër të Grupit D dhe parashikimet janë të mëdha.
Dështimi i gjatë në arenën ndërkombëtare i kombinuar nga një numër i madh i futbollistëve të lënduar ka hedhur dyshime nëse ekipi i selektorit Roy Hodgson mund të kalojë tutje.
Por, Lampard i cili po ashtu do të mungojë në Evropian për shkak të një lëndimi në kofshë, është optimist se skuadra mund të shkaktojë befasi, njësoj siç bëri ekipi i tij Chelsea që mbylli sezonin me triumf në FA Cup dhe Ligën e Kampionëve.
“Anglia mund të bën atë që bëri Chelsea. Ka shumë ngjashmëri, mbi të gjitha, selektori i ri dhe futbollistët kyç që mundojnë për shkak të lëndimeve dhe suspendimit”, tha Lampard për tabloidin britanik The Sun.
Përveç Lampardit, për shkak të lëndimit në Euro 2012 për Anglinë nuk do të luajnë as mbrojtësi Gary Cahill dhe mesfushori Gareth Barry, kurse sulmuesi Wayne Rooney është i suspenduar për dy ndeshjet e para.
“Në Chelsea ne arritëm të fitojmë pasi qëndruam të bashkuar. Po, na përcolli fati por fuqia e grupit dhe refuzimi për tu dorëzuar na ndihmoi të tejkalojmë Barcelonën dhe Bayern Munichun. Jam i sigurt se Anglia mund të tregojë mentalitet dhe qëndrim të njëjtë. Atyre pa dyshim se do tu nevojitet më tepër posedimi se që patëm ne kundër Barcelonës. Ju nuk mund të luani ashtu në çdo ndeshje dhe të prisni se do t’ia dilni. Por, Barcelona është skuadër e jashtëzakonshme dhe dominon ndaj çdokujt. Lajmi i mirë për Anglinë është se nuk ka ndonjë përfaqësuese që dominon në Evropian, madje as Spanja. Andaj, bëhet fjalë për një garë të hapur”, vazhdoi ai.
Lampard pranoi se Anglia nuk është në mesin e favoritëve por thekson se status të tillë nuk kishte as Chelsea, që në fund pushtoi Evropën. “Në rregull, Anglia nuk është në mesin e favoritëve kryesor por nuk ishte as Chelsea, kam ndjenjë pozitive.
Takimi i parë kundër Francës është vendimtar dhe do ta përkrahi Anglinë deri në fund”, përfundoi Lampard. Përveç Francës, Anglia për kundërshtarë në Grupin D do ta ketë edhe Suedinë dhe Ukrainën.