Qirjako: Mund të ikin të gjithë, por Gramozi do të bëhet
Trajneri Ilir Qirjako thekson se ekipi do të bazohet te lojtarët vendës, por pohon gjithashtu se do të bëhen edhe disa përforcime
Nga Kristi Lilo
Pothuajse të gjithë lojtarët që u afruan sezonin e fundit te Gramozi janë larguar nga ky ekip, edhe pse në deklaratat e tyre lihet e hapur një mundësi rikthimi, nëse do të bëhet oraganizimi i duhur. Javët e fundit kanë qenë shumë të trishta për drejtuesit e klubit dhe tifozët kolonjarë. Lojtarët e Gramozit janë kërkuar nga ekipe të ndryshme gjatë kësaj periudhe, por e keqja është se edhe lojtarët me kontratë mund të quhen të larguar. Pra, ka ndodhur ajo që i druheshin të gjithë në ambientet futbolldashëse në Ersekë. Te Gramozi ka nisur largimi masiv i lojtarëve dhe nuk dihet se kush do të mbetet për sezonin e ardhshëm, që e gjen këtë ekip në Kategorinë e Dytë.
Qirjako Megjithatë, trajneri Ilir Qirjako nuk duket shumë i shqetësuar nga ky fakt. Nuk më ka shqetësuar shumë largimi i lojtarëve, pasi ata janë profesionistë dhe mund të shkojnë ku të duan. Ne nuk mund ti mbajmë me forcë te Gramozi, kështu që uroj që të gjejnë ekipe sa më cilesorë, por te Gramozi gjithmonë do ta gjejnë derën të hapur. Ne kemi filluar nga puna për sezonin e ri, pavarësisht se çdo gjë bëhet në heshtje. Mund të them se, edhe pse do të luajmë në kategorinë inferiore, kërkesat për të luajtur me Gramozin kanë filluar të mbërrijnë dhe do ta shihni se ekipi do të jetë i plotësuar ditën e parë të stërvitjes. Nuk kemi caktuar ende një datë, por dua të theksoj se do të afrojmë lojtarë të tjerë. Edhe sezonin e ri do të mbështetem te lojtarët vendës dhe me ta do të synojmë ngjitjen e Gramozit në Kategorinë e parë. Me të gjithë lojtarët kolonjarë kam mbyllur bisedimet dhe kam rënë dakord që ata të jenë pjesë e ekipit për sezonin e ri. Një mbështetje të madhe nga ana ime ketë sezon do të kenë lojtarët e rinj, të cilët nuk mund të luajnë më me ekipet e moshave. Tashmë na mbetet për detyrë që të merremi me afrimin e lojtarëve cilesorë, kurse nga ana e pushtetit lokal na duhet që të na sigurohen finacat, që tashmë nuk duhet të jenë shumë të mëdha, – ka theksuar mes të tjerash trajneri Qirjako.
