Huntelaar, ‘shpëtimtari’ i Holandës

Holanda nuk duhet të ndryshojë asgjë nga aspekti i taktikës, pas humbjes prej 1:0 kundër Danimarkës, por thjesht duhet t’i shfrytëzojë rastet për shënim dhe kjo nënkupton se Klaas-Jan Huntelaar mund të fillojë takimin e ardhshëm nga minuta e parë.
Holanda takimin e ardhshëm do ta zhvillojë kundër liderit të Grupit B, Gjermanisë, dhe nëse dëshirojnë që të kalojnë në fazën tjetër, atëherë u duhet një fitore kundër tyre.
Ekipi i Bert van Marwijkit kishte 28 goditje në drejtim të portës së Danimarkës, por vetëm tetë prej tyre ishin në kornizë, dhe mesfushori Wesley Sneijder mendon se ata duhet të fitojnë kundër Gjermanisë, përndryshe rrezikojnë të eliminohen.
“Është e dhimbshme. E vetmja gjë pozitive ishte se ne luajtëm shumë mirë dhe krijuam shumë raste. Ne do të krijojmë raste edhe kundër Gjermanisë, por duhet që t’i shfrytëzojmë ato, përndryshe jemi jashtë Evropianit”, tha Sneijder. Mesfushori holandez kishte treguar lojë shumë të mirë, por sulmuesi Robin van Persie dhe mesfushori ofanziv Arjen Robben shpërdoruan raste të shumta.
“Të dominosh ndeshjen nuk është e mjaftueshme. Shikoni çfarë ndodhi, ne mbetem duarthatë, pasi nuk i shfrytëzuam shanset tona. Ne filluam shumë mirë dhe në 20 minutat e para, kishim mundur të shënonim së paku dy herë dhe pastaj çdo gjë do të ishte në rregull”, tha në fund Sneijder. Van Marwijk e la në stol sulmuesin e Schalkes Huntelaar, i cili ne ndeshjet kualifikuese për Euro 2012 kishte shënuar 12 gola, por ai pritet që të mërkurën kundër Gjermanisë të luajë nga fillimi. Holanda në të vërtetë nuk do të duhej të brengosej për sulmin, pasi Van Persie ka qenë golashënuesi më i mirë në Premierligë sezonin e fundit e po ashtu edhe Huntelaar në Bundesliga.
Që të dy lojtarët mund të luajnë edhe së bashku, me Huntelaarin si sulmues i vetëm dhe Van Persin të tërhequr më mbrapa, njëjtë sikurse gjatë ndeshjeve kualifikuese. Nëse selektori i Holandës e zgjedh këtë opsion, atëherë Ibrahim Affelay, i cili nuk ka treguar asgjë kundër Danimarkës mund të përfundojë në bankën rezervë. Kjo do të ishte një lëvizje e logjikshme për të arritur një fitore shumë të rëndësishme kundër Gjermanisë.
“Ne duhet të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme dhe ky është një mision i qartë. Nëse do të kishim fituar ndeshjen e parë, atëherë edhe një barazim do të ishte i kënaqshëm kundër Gjermanisë, por tani na duhet vetëm të fitojmë”, tha mesfushori Rafael van der Vaart.