Kush mund të aplikojë për anëtarë i Këshilli Kombëtar të Arsimit Parauniversitar
Jonida Tashi
Ministria e Arsimit, ka shpallur dje, konkursin për 13 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Sipas kësaj Ministrie, anëtarët ekspertë të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar do të jenë figura të njohura për kontributin e tyre në fushën e arsimit dhe shkencës. Ata duhet të zotërojnë së paku një Diplomë të nivelit të Dytë (DND), ose një Diplomë të Nivelit të Dytë të Integruar (DIND), si dhe të kenë një njohje të mirë të përvojës ndërkombëtare në fushën e Arsimit Parauniversitar. Do të jenë pikërisht këta 13 anëtarë që do të ndihmojnë me këshillime shumë të kualifikuara ministrin e Arsimit, në kryerjen e funksioneve dhe të detyrave të tij, në drejtim të vendimmarrjes, me impakt afatgjatë dhe të rëndësisë së veçantë. Sipas MASH-it, komisioni i përzgjedhjes së këtyre anëtarëve do të përbëhet nga përfaqësues të Këshillit të Ministrave, përfaqësues të MASH-it, etj.
Kriteret
Gjashtë do të jenë kriteret kryesore profesionale mbi të cilat do të bazohet përzgjidhja e këshilluesve të ministrit të Arsimit. MASH ka përcaktuar që këto kritere të jenë: diploma, titulli, grada shkencore, kualifikimet pasunviersitare të certifikuara, botimet dhe punësimi. Aplikantët duhet të dorëzojnë dosjen në MASH deri në 25 korrik 2008. Nisma e MASH-it për ngritjen e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar u miratua para një muaji nga Kuvendi me anën e një amendamenti në ligjin aktual parauniversitar. Ky këshill do të jetë një organ, që do të mbështesë Ministrinë për formulimin e politikave e zhvillimit të Arsimit Parauniversitar. Deri tani rolin e këtij këshilli e kanë luajtur grupet e përhershme të punës të ngritur në MASH. Këshilli do të përbëhet gjithsej nga 23 anëtarë, ku 13 do të jenë ekspertët e zgjedhur me konkurrim publik, dhe 10 me përfaqësues të Ministrisë së Financave, të Ministrisë së Brendshme, të Punës, të Shëndetësisë, të Mjedisit, dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Këshilli do të organizojë analiza për zhvillimet themelore, që parashikohen të ndërmerren në procesin e reformimit të sistemit, si dhe ndërhyrjet e nevojshme për zhvillimin, përmirësimin, planifikimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (SKAP).
27 Qershor 2008