Si të mbrohemi nga virusi i Poliçanit
Stina e verës me temperaturat e larta që e shoqërojnë dhe higjiena jo e mirë, shton rrezikun për shfaqjen e virusit gastro-enteriteve virale sezonal. Bëhet fjalë për të njëjtin virus që prej disa ditësh ka alarmuar qytetin e Poliçanit. Mjekët tërheqin vëmendjen që çdo rast të trajtohet me kujdes, sepse mund të jenë ngjitëse dhe të krijojnë formën e një epidemie. Gastro-enteriti është inflamacioni i aparatit tretës që përfshin: stomakun, zorrët e holla dhe ato të trasha. Prandaj shpesh kjo konsiderohet si “ftohje stomaku”. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo periudhë të vitit, por gjatë sezonit të temperaturave të larta merr formën e një epidemie. Arsyeja e numrit të lartë të rasteve shpjegohet me faktin që temperaturat e larta krijojnë terren të përshtatshëm për zhvillimin e mikrobeve që shndërrohen në patogjene për aparatin tretës. Po ashtu mungesa e kushteve higjienë-dietetike krijon terren për shfaqjen e gastro-enteriteve me natyrë joinflamatore. Shkaqet e gastro-enteritit mund të jenë të ndryshme. Kryesisht ato kanë shkaqe virale, bakteriale (E.coli, salmonela, shigella, etj.), parazitare (lambia) dhe ushqimore. Simptomat përfshijnë diarrenë e ujshme dhe të vjellat. Personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, krampe abdominale (dhimbje barku), të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut. Në rastet e gastro-enteriteve me natyrë virale si shenjë sëmundjeje, përveç atyre që përmendëm më lart, bashkëngjitet dhe temperatura që në disa raste mund të jetë e lartë. Gastro-enteriti viral i sezonit është ngjitës. Viruset që e shkaktojnë atë përhapen nëpërmjet kontaktit me persona të infektuar.
Gastro-enteriti
Në mëngjes, njeriu i prekur nga “gastroenteriti” ngrihet i sëkëlldisur dhe në mbrëmje zë shtratin. Gastroenteriti është një infeksion i faqeve anësore të tubit digjestiv dhe ndodh si shkak i një “agresioni” që në të shumtën e rasteve shkaktohet nga një mikrob. Gastroenteriti sjell të përziera dhe të vjella, sepse stomaku dhe zorrët mbrohen kundër këtij mikrobi që ka hyrë në trup, duke dashur ta nxjerrin jashtë atë. Kështu, zorrët kontraktohen dhe ne ndjejmë spazma e ngërçe që shpesh e shoqërojnë këtë sëmundje. Për këtë gjendje, shkak mund të jenë shumë lloj mikrobesh. Në helmimet ushqimore (intoksikacionet) bëhet fjalë shpesh për salmonelën apo kolibakteret. Për shembull, kështu ndodhi dhe me shumë persona që u helmuan nga qoftet të cilat ishin të ngrira dhe të infektuara. Në këto raste, gastroenteriti vazhdon disa ditë. Ethet janë të shpeshta dhe trajtimi me antibiotikë mund të jetë i nevojshëm. Epidemitë sezonale që shpesh vijnë në një kohë me gripin dhe infeksionet e tjera virale nga rrugët e frymëmarrjes janë përgjithësisht jo malinje. Shpërndarja e infeksioneve varion në funksion të tipit të virusit, por edhe sipas trupit të njeriut, organizmit dhe moshës së tij.
Fëmijët
Gastroenteritet tek fëmijët janë shumë të shpeshta. Ata shtrohen në spitale, pasi gastroenteriti u shkakton dehidratim , pra humbje të ujërave në trupin e tyre. Ky është dhe rreziku i këtyre infeksioneve që shpërndahen me lehtësi në ambientet kolektive si çerdhet, kopshtet, shkollat, etj. Refleksi më i mirë është që prindërit tu japin fëmijëve lëngje për hidratim, të cilat gjenden në farmaci. Këto produkte të fabrikuara duhen pasur gjithnjë në shtëpi, pasi lejojnë që të zëvendësojnë tek fëmijët lëngjet dhe kripërat minerale që kanë humbur gjatë sëmundjes. Këto sëmundje janë mjaft shqetësuese për shkak të të vjellave dhe të dhimbjeve të forta të barkut. Për këto dhimbje mjekët rekomandojnë që të përdoren ilaçe kundër spazmave për ti lehtësuar dhimbjet e barkut. Tek personat me shëndet të mirë sëmundja zgjat zakonisht 2-3 ditë dhe pastaj gjithçka hyn në fazën normale. Vetëm ato forma që zgjasin apo që provokojnë ethe, kanë nevojë për tu konsultuar. Nëse kemi tendencë për të vjella duhet të kemi refleksin që të pini rregullisht gjatë ditës lëngje dhe të zgjedhni për të ngrënë ushqime si karota, qulli i orizit, etj. Nëse në plan të parë është diarreja, këshillohen fermentet laktike të qumështit. Sipas rasteve, mund të kemi nevojë për ilaçe kundër spazmave për të qetësuar dhimbjet abdominale; për paracetamol kundër etheve, dhimbjeve trupore apo dhimbjes së kokës; për ilaçe kundër të përzierave apo të vjellave, si dhe ilaçe për ngadalësimin e tranzitit të ushqimit në zorrë, nëse diarreja është shqetësuese.
Ushqimet
Njerëzit mund të infektohen nëpërmjet ushqimeve dhe pijeve ose ujit të kontaminuar. Ushqimet mund të kontaminohen nga vetë personat me gastro-enterit viral, sidomos kur nuk respektohet një higjienë e rregullt personale. Po ashtu, uji i pijshëm, që bëhet burim përhapje të viruseve. Gjithsesi, tani që është periudha e plazhit, shpesh nuk respektohen kushtet higjienë-dietetike dhe ushqimi shndërrohet në këtë mënyrë burim i gastro-enteriteve. Nuk ka grupmosha më të rriskuara, çdokush mund të infektohet, por disa viruse prekin një grup specifik moshe. Megjithatë fëmijët, të moshuarit dhe personat që kanë një sistem imunitar të dobët sigurisht janë “viktimat” e para të gastro-enteriteve. Problemi kryesor që shkaktojnë gastro-enteriteve lidhet me humbjen e lëngjeve të organizmit, të cilat duhen zëvendësuar nëpërmjet solucioneve fiziologjike. Dehidrimi mund të jetë i gradave nga më të lehta deri tek ato më të rënda. Kuptohet që format e rënda shkaktojnë ndërlikime serioze, që mund të shkojnë deri në anemi, apo te personat e moshuar probleme kardiake si pasojë e humbjes së natriumit dhe kaliumit. Këto kripëra janë mjaft të rëndësishme për shëndetin e zemrës.
Trajtimi
Hapi i parë në trajtimin e gastro-enteritive virale është parandalimi i humbjeve serioze të lëngjeve (dehidrimi). Ky trajtim mund të fillojë që në shtëpi. Në këto raste rekomandohet marrja e solucioneve dehidruese në formën e trisolit. Një paketë tretet në ½ litër ujë të pastër. Ndërsa përsa i përket trajtimit me medikamente, rekomandohet që të nisin pas 72 orësh, kohë e mjaftueshme që organizmi të jetë “vetëpastruar” nga toksinat e mundshme që mund të ndodhen në të. Në rastet e gastro-enteriteve inflamatore, që janë kryesisht me natyrë bakteriale mund të përdoren antibiotikët. Ndërsa në rastet që nuk i përgjigjen mjekimit apo që kanë kaluar në fazë dehidrimi të rëndë, natyrisht kërkohet trajtim i specializuar në spital. Çdokush mund të reduktojë shansin e marrjes së infeksionit nëpërmjet një higjiene të mirë personale dhe larjes së shpeshtë të duarve. Gjithashtu, duhen dezinfektuar sipërfaqet e prekura me pastrues me bazë klori, si dhe eliminimi i ushqimeve të dyshuara për kontaminim. Natyrisht tani që është periudha e plazhit duhet që të tregohet kujdes në gatimin, ruajtjen e ushqimeve që mund të merren me vete. Kujdes duhet treguar në ujin e pijshëm dhe personat që kanë depozita në shtëpi duhet t’i derdhin herë pas here dhe t’i lajnë.
Simptomat
Diarre e ujshme
Të vjella
Dhimbje koke
Ethe
Dhimbje stomaku
Këputje trupi
Temperaturë
Mungesë oreksi
Dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh
Këshilla
Hapi i parë në trajtimin e gastro-enteritive virale është parandalimi i humbjeve serioze të lëngjeve
Refleksi më i mirë është që prindërit tu japin fëmijëve lëngje për hidratim, të cilat gjenden në farmaci
Kujdes duhet treguar në ujin e pijshëm dhe personat që kanë depozita në shtëpi duhet t’i derdhin herë pas here dhe t’i lajnë
Duhen dezinfektuar sipërfaqet e prekura me pastrues me bazë klori, si dhe eliminimi i ushqimeve të dyshuara për kontaminim
Duhet që të tregohet kujdes në gatimin, si dhe ruajtjen e ushqimeve që mund të merren me vete në plazh
Përgatiti: Jonida Tashi
Të rejat nga shkenca
Fekondimi artificial pa duhan
Femrat të cilat dëshirojnë të mbesin shtatzëna në mënyrë artificiale, duhet ta ndërpresin duhanin para se të marrin këtë hap. Ky është kriteri më i ri në Britaninë e Madhe, nga një numër i madh kriteresh të cilat duhet t’i plotësojnë femrat nëse dëshirojnë të kenë një trajtim të mirëfilltë. Ekspertët pohojnë se kjo është për shkak se “pse të kalohet nëpër trajtime të shtrenjta dhe traumatike, nëse jeni duke bërë diçka e cila e rrezikon gjithë procedurën”.
27 Qershor 2008