Me UPIM synojmë të pajtojmë klientët me cilësinë e vërtetë
Si mbërriti më në fund “UPIM” në Shqipëri? Cilat janë synimet e kësaj kompanie? Çfarë synon të sjellë në Qendrën Tregtare “Kristal”? Tregon përfaqësuesi i shqiptar i kompanisë, Arian Manahasa.
Cila është kompania “UPIM” dhe çfarë synon që të sjellë ajo në Shqipëri?
“UPIM” është një ndërmarrje italiane që ka lindur që më 1926-n dhe sot numëron vetëm në Itali 140 dyqane ku ajo ka administrimin direkt, si dhe rreth 220 dyqane në “franchising”. Pra një grup dyqanesh që sot mbulon të gjithë Gadishullin Apenin. Kjo kompani bën pjesë në ato që quhen “departament-store”, që janë pjesë e njësive ku plotësohen nevojat familjare me të gjithë artikujt. Kjo fillon nga veshjet, kozmetika, higjiena personale, pajisjet për aredimin e shtëpive dhe dhomave të fëmijëve, si dhe shumë elementë të tjerë. Ideja për të nisur me “UPIM” ishte fakti që në tregun shqiptar njerëzit drejtonin sytë nga plotësimi i nevojave, ku raporti cilësi-çmim të ishte sa më i drejtë. Për këtë ne bëmë një vëzhgim të tregut vendas dhe disa sektorëve të “UPIM” në Itali dhe pamë se çfarë mund të kënaqte interesat e klientëve shqiptarë. Për këtë gjë shfrytëzuam pikërisht qendrën “Kristal”, e cila është një qendër që po ecën dhe po zhvillohet dita-ditës. Vendosja e kësaj qendre pikërisht në një lagje të re, e cila ka rreth 80 mijë banorë, na jep mundësinë edhe ne që ta shikojmë me perspektivë zhvillimin dhe ecurinë e punës tonë. Ne mendojmë se kjo lagje, duke qenë me një popullsi të shtresës së mesme kryesisht, si dhe me banorë të rinj, ata do të kenë dhe nevojën për shërbimet dhe artikujt që u ofron “UPIM”.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Me “UPIM” synojmë që shumë shpejt të kapim edhe disa zona të tjera të kryeqytetit, duke bërë kështu një mbulim të territorit të tij dhe duke qenë të vendosur në qendra si “Kristali”. Ne synojmë që brenda dy vjetëve të zgjerohemi edhe me dy dyqane të tjera. Kjo është dhe strategjia e vet “UPIM”, që të shtrihet ose me dyqane në qendrat e qyteteve ku njerëzit e kanë më të lehtë t’i frekuentojnë gjatë gjithë ditës, ose të shtrihen në qendra të mëdha tregtare si “Kristali”, ku frekuentimi është masiv. Synimi i kësaj kompanie është që klienti të arrijë të plotësojë të gjitha dëshirat dhe kërkesat me artikujt që ofron “UPIM”, kjo me maksimumin e cilësisë dhe me minimumin e shpenzimeve.
Si mendoni që të kapni tregun dhe klientin, duke pasur parasysh tregun jo të specializuar në Shqipëri, ku dominojnë mallrat e lira?
E para është cilësia e asaj që ofrojmë. I dyti është modeli i asaj që ofrojmë. I treti është raporti i përkryer çmim-cilësi. Kjo duke i mbledhur të tre komponentët në një kornizë shërbimi, që është tashmë e parë dhe e provuar edhe nga vetë “UPIM”, që është instaluar në Shqipëri. Ne mendojmë për këtë që “UPIM”, ashtu sikundër e siguron këtë shërbim në të gjithë Italinë, pasi ka një eksperiencë 80-vjeçare, duke studiuar prej kohësh tregun, mendojmë se do të jetë konkurrent i fortë edhe në tregun shqiptar. Një tjetër gjë është se modelet e “UPIM” nuk janë as më pak dhe as më shumë se ato modele që ne shohim në TV dhe që quhen “moda e vitit”. Aktualisht stilisti kryesor i “UPIM” për veshjet është Mark Lukas, i cili për 12 vjet me radhë ka qenë shefi i zyrës së stilimit të “Kalvin Klein”. Për këtë mendoj se “UPIM” përpiqet që këto modele që njerëzit i shikojnë për ditë të jetë të arritshme edhe me çmime shumë ekonomike dhe të arritshme nga kushdo. Ajo që dua të theksojë së fundi është dhe shërbimi që ofrohet në dyqanet “UPIM”. Në një dyqan të tillë mënyra që ne sillemi me klientin synon maksimumin e lirisë në provimin e të gjithë aksesorëve dhe në sigurimin e një zgjedhjeje të mirë. Ne synojmë që produktet tona t’i bëjmë sa më joshëse për klientët dhe t’i japim siguri dhe garanci për ato që shesim.
27 Qershor 2008