Tregjet që do të ndërtohen në të gjithë Tiranën
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës përcakton fond të posaçëm për ngritjen e tregjeve në disa zona të kryeqytetit. Specialistët e bashkisë kanë gati projektvendimin, i cili tregon shpërndarjen e tregjeve sipas minibashkive dhe vlerën që kërkohet për ndërtimin e tyre. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm zonat që do të përfitojnë nga ky fond dhe numri i tregjeve që pritet të miratohen për ndërtim apo rikonstruksion. Pritet që ky projektvendim, të marrë miratimin në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Për ndërtimin apo rikonstruksionin e tregjeve është vënë në dispozicion një shumë prej 4. 201.000 lekësh. Kjo është bërë në bazë të kërkesave të Njësive Bashkiake Nr. 1, Nr.3, Nr.4, Nr.7, Nr. 8 dhe Nr. 11. Ngritja e tregjeve është parë si tepër e rëndësishme për të mos lejuar tregtimin nëpër rrugë dhe jashtë kushteve të përshtatshme higjienike. Njëkohësisht edhe për t’iu krijuar një mundësi tregtarëve, që të shesin produktet e tyre brenda normave dhe në një vend të caktuar.
Mungesa e tregjeve
Tregjet mungojnë në disa minibashki të kryeqytetit, ndërsa tregtimi i mallrave bëhet nëpër trotuare. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Njësitë Bashkiake, ka evidentuar zonat, ku tregjet mungojnë. Mungesa e tregje publike është evidentuar në Njësitë Bashkiake Nr. 1, Nr. 3 dhe Nr. 4. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka projektuar të shpërndajë fondin më të madh. Kështu, në minibashkitë 1 dhe 3, fondi i përcaktuar është në vlerën e 100 mijë lekëve. Ndërsa në minibashkinë Nr.4, fondi i përcaktuar është 90 mijë lekë. Për tre zonat e tjera, shpërndarja është bërë sipas nevojave dhe kërkesave që janë bërë nga minibashkitë. Nëse projektvendimi do të miratohet nga Këshilli Bashkiak, atëherë vendimi pritet të hyjë në fuqi 10 ditë pas miratimit.
Kushtet e tregtimit
Ngritja apo rikonstruksioni i tregjeve publike, do t’iu jepte më tepër siguri konsumatorëve. Jo në pak raste specialistët e shëndetësisë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos blejnë fruta apo perime që tregtohen jashtë standardeve higjienike. Tregtimi në trotuare dhe jo nëpër tregje, bën që të gjitha produktet të jenë të ndotura nga tymi i rrugës dhe të mbajtura në temperaturë të nxehtë. Me ardhjen e stinës së verës, temperaturat e larta dhe ndotja e ambientit, shfaqin një rrezik më të madh për blerësit. Kështu, tregtimi në vende të posaçme do të sillte më tepër siguri për konsumatorët, që nuk do të blinim më në rrugë.
Tabela
Njësia Bashkiake Vlera në lekë
Nr.1 1.000.000
Nr.3 1.000.000
Nr.4 900.000
Nr.7 300.000
Nr.8 500.000
Nr.11 501.000
27 Qershor 2008