Gjimanzistët dhe studentët, kontingjent më i madh i përdoruesve të drogave
Emanuela Sako
Gjimnazistët dhe studentët janë cilësuar si kontingjenti më i madh i përdoruesve të drogës. Këto dy kategori janë pjesa më e madhe e rrethit që përfshin rreth 40 mijë përdorues në të gjithë vendin tonë. Të paktën kjo është shifra që bëhet publike nga raporti zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë. Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Drogës, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, pranoi që numri i përdoruesve të drogës ka pësuar rritje. Shifër që tregon se në të njëjtën kohë është rritur dhe sasia e trafikimit të lëndëve narkotike në të gjithë vendin tonë. Në operacionet e fundit të policisë, të arrestuarit për trafikim të lëndëve narkotike shpërndanin drogën pranë gjimnazeve apo fakulteteve. Statistikat e kryera nga specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë, tregojnë për një rritje të numrit të të rinjve që marrin droga të ndryshme. Moshat që janë më të rrezikuara për t’u bërë pjesë e këtij fenomeni janë nxënësit e shkollave. Arsyet janë të ndryshme, duke u nisur që nga problemet që hasin në adoleshencë, çështjet familjare, ekonomike etj. Kjo pasi, këto mosha i përjetojnë më tepër problemet, por nuk përjashtohen rastet kur pirja e drogës është një hobi për të rinjtë. Për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Drogës, ka zgjedhur të rinjtë për të promovuar idetë sensibilizuese. Për këtë qëllim, në të gjithë vendin po ngrihen grupet Rinore Kundër Drogës, të cilët janë ideuar pikërisht si përcjellës të mesazheve antidrogë, ku aktivizohen rreth 620 të rinj që kanë marrë informacion bazë për drogat dhe efektet e tyre shkatërruese. Në të gjithë vendin numërohen rreth 30 - 40 mijë përdorues të saj, por sipas autoriteteve të Shëndetësisë këto shifra janë edhe më të larta. Për të shmangur përparimin më të gjerë të fenomenit “drogë”, Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, në u shpreh se shumë shpejt do të fillojë përgatitja e një strategjie kombëtare dhe e një dokumenti zyrtar statistikor rreth përdoruesve të drogave.
Rreziku
Personat që janë përdorues të drogave janë të rrezikuar për shëndetin e tyre, por ata bëhen edhe të rrezikshëm për jetën e të tjerëve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, tregues që e bën më tepër shqetësues këtë fenomen, është rritja e preferencës për administrimin intravenoz të drogës. Specialistët shpjegojnë se kjo paralajmëron për rritjen e probabilitetit për përhapjen e sëmundjeve të tilla të transmetueshme si HIV/AIDS, hepatitet B e C, etj. Ky realitet shqetësues në drejtim të aspektit për rritjen e kërkesës për drogë, rritja e koshiencës publike dhe sensibilizimi i opinionit dhe institucioneve për domosdoshmërinë e reduktimit të kësaj kërkese, është në mospërputhje me kushtet e papërshtatshme të trajtimit mjekësor antidrogë. I vetmi institucion publik, ku mund të trajtohen personat që kërkojnë të lënë drogën është Shërbimi Universitar i Toksikologjisë Klinike, pranë Spitalit Universitar Qendror të Ushtrisë. Qendra ka një kapacitet me 12 shtretër në të cilin ofrohet shërbimi i toksikologjisë për gjithë vendin, ku përveç mjekimit të sëmurëve që paraqesin helmime me natyra të ndryshme, trajtohen dhe problemet e drogës. Sipas ministrit Ndoka, tashmë po bëhen përpjekje për kalimin e Shërbimit Universitar të Toksikologjisë nga Qendra Universitare Spitalore e Ushtrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kjo synon kthimin e këtij shërbimi në një qendër të fuqishme adiktive, për trajtimin kompleks të këtij fenomeni.
Rastet
Gjatë periudhës dhjetë vjeçare të angazhimit të këtij institucioni për të ofruar këto shërbime, janë trajtuar mbi dymbëdhjetëmijë raste klinike toksomanie, numër ky i konsiderueshëm për një klinikë të këtij kapaciteti. Megjithëse që prej vitit 2000, ka filluar aktivitetin në sferën e trajtimit adiktiv dhe “Komuniteti Terapeutik Emanuel”, me kapacitet njëzet e pesë shtretër. Në këtë qendër aplikohet terapi rehabilituese afatgjatë, ku janë trajtuar rreth treqindepesëdhjetë toksikodipendent. Po kështu, OJF-ja shqiptare “Aksion Plus”, aplikon terapinë mbajtëse me metadon, e cila është shumë pak për të përballuar kërkesat e shumta gjithnjë në rritje për këtë shërbim.
27 Qershor 2008