E Diel, 1 Nëntor 2026

Anija “Orik”, patrullim në ujërat shqiptare

Një tjetër mjet lundrues bëhet pjesë e Flotës Shqiptare. Deri më 2013 do të shkojë në katër numri i anijeve

VLORË Nga dita e djeshme, kapaciteteve të forcës detare i shtohet një tjetër anije e shpejtë për patrullimin e ujërave shqiptare. Oriku P132, u hodh dje në det, ndërsa në ceremoni mori pjesë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami; shef i Shtabit të Përgjithshëm, kreu i forcës detare shqiptare, Kudret Çela, i cili çeli edhe këtë ceremoni, si dhe ambasadori holandez në Shqipëri, e autoritete të tjera në nivel lokal e qendror.

Në fjalën përshëndetëse kundëradmiral Kudret Çela theksoi se kam nderin të njoftoj lëshimin në det të anijes “Oriku”, fryt i punës dyvjeçare. E cilësoj si ngjarje të rëndësishme për flotën tonë detare, vijoi kundëradmiral Çela, duke cituar se projekti i plotë me kompaninë holandeze kap shifrën 31 milionë euro, prej të cilave 65% financohen nga qeveria shqiptare dhe 35% nga qeveria holandeze. Më tej Frank Delong, përfaqësues i firmës holandeze ‘Damen Shipyard’, citoi punën e frytshme dhe bashkëpunimin midis dy vendeve. Ai bëri një retrospektivë të krijimit të marrëdhënies financiare dhe kontratës së lidhur midis Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes dhe kompanisë.

Më tej, në vijim të ceremonisë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, e nisi fjalën e tij me përgëzime për punonjësit e kantierit të Pashalimanit dhe përfaqësuesve holandezë për punën e mirë të bërë në ndërtimin e anijes. “Kjo është anija e dytë, e cila do të pasohet edhe nga dy të tjera që janë në proces prodhimi këtu në Pashaliman. Kështu do të kompletohet Flota jonë detare”, theksoi ministri. Ministri gjithashtu theksoi se “modernizimi i ushtrisë sonë, edhe në kuadër të anëtarësisë në NATO, vijon suksesshëm, duke përmendur edhe blerjen e helikopterëve shumëfunksionalë, por edhe përballimin me sukses të emergjencave, municionet etj. Ai saktësoi se, pavarësisht krizës globale, buxheti i modernizimit të ushtrisë sonë është 20 milionë euro në vit, dhe për këtë vit ai do të realizohet 100%. Anija Oriku P 132 ka një gjatësi prej 42.8 metër dhe gjerësi prej 7.11 m. Ajo është e pajisur me dy motorë prej 5760 kuaj fuqi dhe arrin shpejtësinë deri në 26 nyje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›