E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet avokati, kërcënoi gjyqtarin me telefon

Policia e Durrësit ka vënë në pranga Vangjel Muzinën, 64 vjeç, banues në Durrës, me profesion avokat. Pranë komisariatit të policisë Durrës, më datë 10 shtator është paraqitur dhe ka bërë kallëzim penal shtetasi F.H., 57 vjeç, banues në Durrës, i cili ushtron detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Sipas njoftimit për shtyp të drejtorisë së policisë, mësohet se gjyqtari pretendon se është shqetësuar dhe kërcënuar për jetën nëpërmjet një thirrjeje telefonike nga një numër telefonik dhe person i panjohur. Në vijim të punës për hetimin e këtij rasti, rezultoi se numri telefonik nga ishte marrë thirrja i përkiste shtetasit Vangjel Muzina. Shtetasit në fjalë iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale telefoni i markës Nokia së bashku me numrin telefonik nga i cili ishte kryer thirrja. Ndërsa gjatë marrjes në pyetje ai e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, duke pretenduar se nuk ka qenë ai personi që ka bërë këto telefonata. “Nga ana jonë u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet proceduriale shtesë iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe fyerjes së gjyqtarit. Vazhdon kryerja e veprimeve të mëtejshme me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje”, thuhet në komunikatën për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›