E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anija e mbytur në Greqi, kufoma gjendet në Durrës

Identifikimi

Një kufomë është gjetur në det të hapur nga disa peshkatarë, jo shumë milje larg bregut të Golemit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që policia ka bërë identifikimin e të mbyturit, i cili rezulton të jetë një shtetas i huaj me emrin Muhamad Rexhai. Ai mendohet se ishte pjesë e ekuipazhit të anijes që rrezikoi të mbytet rreth dy javë më parë në Greqi, ku disa persona humbën në det të hapur.

Mëngjesin e djeshëm, autoritetet e Komisariatit të Policisë së Kavajës janë njoftuar se peshkatarët kishin gjetur një kufomë në det. Menjëherë në port kanë shkuar shërbimet e policisë, që kanë bërë këqyrjen e kufomës. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe ekspertët e mjekësisë ligjore, që kanë deklaruar se personi i gjetur mund të kishte mbi dy javë që është mbytur. Në këto kushte ka nisur hetimi për identifikimin e tij. Sipas të dhënave policore, fillimisht është mësuar se kufoma i përkiste një mashkulli rreth 40-45 vjeç. Më pas, në rrobat e tij janë gjetur disa objekte identifikuese. Burimet nga grupi hetimor thanë se atij i është gjetur një kartë banke greke, ku kishte të gdhendur emrin Muhamad Rexhai. E pikërisht ky person dyshohet se është viktima e gjetur. Gjithashtu, atij i janë gjetur edhe disa karta rimbushëse celulari greke, duke sjellë edhe më shumë dyshime se ai ka qenë në Greqi. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, policia ka marrë në pyetje peshkatarët, të cilët kanë treguar vendin se ku po gjuanin peshk dhe si kanë mbetur të habitur, në momentin që kanë mbledhur rrjetat. Meqë ishte errësirë, ata kanë menduar se kishin kapur ndonjë peshk të madh, por kur e kanë ngritur në bord, kanë parë që ishte vetëm një kufomë njeriu. Njoftimi ndaj policisë u dha rreth orës 07:30 të mëngjesit, kur peshkatarët ishin kthyer në port.

Sipas konfirmimit policor, këto të dhëna identifikuese të personit rreth 40-vjeçar, i cili mendohet të jetë me origjinë nga vendet e Lindjes, i janë dërguar palës greke, me qëllim për të ndihmuar në identifikimin e tij. Gjithashtu, policia shqiptare shpjegoi se dy javë më parë në brigjet e Greqisë ka rrezikuar mbytjen një anije dhe gjatë kësaj avarie për shkak të detit të trazuar humbën disa njerëz. Edhe kufoma e djeshme mendohet se i përket ndonjërit prej ekuipazhit, pasi deti ka qenë shumë i fuqishëm dhe rrymat mund ta kenë sjellë drejt Shqipërisë. Vetëm pak ditë më parë, u gjet një tjetër kufomë afër bregdetit të Durrësit. Ajo i përket një burri të ri rreth të 35-ve dhe u konstatua nga ekuipazhi i anijes ro-ro Refax II, që po lundronte nga Durrësi në drejtim të Barit të Italisë. Menjëherë kapiteni i tragetit të mallrave ka njoftuar kapitanerinë për praninë e trupit pajetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›