Vjedhje me armë te stadiumi, identifikohet autori
Një tjetër vjedhje me armë është shënuar dje në Tiranë, ku një person, i cili dyshohet se është përdorues droge, ka marrë 64 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, kur i riu ka hyrë brenda ambienteve të një arke për depozitimin e parave të energjisë elektrike dhe të ujit. Ai ka kërcënuar punonjësen se do ta vrasë dhe ajo menjëherë i ka dorëzuar tufën e parave, që ndodhej në arkë. Grabitësi është larguar me vrap, ndërkohë që punonjësja ka njoftuar policinë. Shërbimet e Komisariatit Nr. 2 kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe nga përshkrimi që ka bërë punonjësja, kanë mundur të identifikojnë autorin e dyshuar të ngjarjes. Ata kanë siguruar edhe një fotografi të tij, duke e shpallur në kërkim. Burimet e grupit hetimor thanë se aktualisht po punohet për kapjen e tij. Ndërsa gjatë natës, po nga Komisariati Nr. 2 është goditur një grup tjetër hajdutësh. Sipas të dhënave, ata kishin vjedhur disa televizorë “Plazma”.