E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet grupi i hajdutëve grabitën me armë 5 banka

Operacioni Gjatë kontrolleve, Policia e Tiranës zbulon edhe prova materiale të autorëve

Një grup që dyshohet se kanë grabitur pesë banka në kryeqytet janë arrestuar nga policia, ndërkohë që një prej tyre ka pranuar të tregojë mekanizmin e vjedhjeve. Bëhet fjalë për tri vjedhje bankash të ndodhura gjatë këtij viti dhe dy të tjera, të ndodhura në vitin 2008. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka dalë në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se është finalizuar operacioni i koduar “Ombrella”, gjatë të cilit u arrestuan katër persona. Vocaj shpjegoi se në pranga përfunduan Fatjon Sami Deliu, 24 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, Markeljano Izmir Nuro, 20 vjeç, Gerald Sefer Gordi, 20 vjeç dhe Ervis Dilaver Domi, 22 vjeç, të gjithë lindur e banues në Tiranë. Policia tha se veç arrestimit të tyre është shpallur në kërkim edhe Admir Zyko, i dyshuar si bashkautor në vjedhje me armë. “Ky operacion u finalizua pas një hetimi 9-mujor të kryer nga seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë në Policinë e Tiranës, hetim i kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë me përdorimin e gjerë të metodave speciale të hetimit. Nga hetimi rezulton e provuar se këta shtetas janë autorë të vjedhjes me armë të filialit të Bankës Kombëtare Tregtare, e ndodhur më datë 17 shkurt 2010 në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë”, deklaroi drejtori i Policisë së Tiranës. Sipas tij, këta persona janë të dyshuar dhe po zhvillohen hetime intensive për përfshirjen e tyre në bashkëpunim edhe me persona të tjerë në vjedhjet e katër bankave. Bëhet fjalë për dy vjedhje të tjera në Tiranë, që kanë ndodhur gjatë këtij viti. Një prej tyre është vjedhja e “Tirana Bank”, e ndodhur më datë 6 maj 2010, në rrugën dytësore në krah të autostradës Tiranë–Durrës, ndërsa tjetra ka ndodhur më 2 korrik 2010, kur është vjedhur filiali i “NBG Bank”, në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës. Gjithashtu, ata dyshohen edhe për dy vjedhje në vitin 2008, përkatësisht atë të filialit NBG më 1 gusht 2008 në autostradën Tiranë–Durrës dhe vjedhjen e filialit të “Raiffaisen Bank”, ndodhur më 26 dhjetor 2008, në rrugën “Vangjel Noti” në Laprakë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›