E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet, kredia çoi në depresion bankierin

Artan Kadria u vetëdorëzua pas pesë orësh negociata me specialët e RENEA-s

Kreditë e marra jashtë Shqipërisë kanë çuar në depresion të thellë një drejtor të rëndësishëm banke, i cili cilësohet nga të njohurit e tij, si një nga bankierët më të mirë në Shqipëri. Bëhet fjalë për personin e armatosur, i cili dy net më parë ngriti në këmbë policinë e kryeqytetit, duke e mbajtur në tension deri në orët e para të ditës së djeshme. Ngjarja ka ndodhur të dielën në darkë, në rrugën “Tefta Tashko”, pas ATSH-së në një pallat pesëkatësh të vjetër. Pas 5 orësh negociata me policinë, rreth orës 03.00 të mëngjesit të djeshëm, Artan Kadria, drejtori i një banke, që kishte terrorizuar familjen e tij, duke u shprehur se do të vetëvritej, është dorëzuar. Të frikësuar, familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë. Ata kanë pohuar se brenda ndodheshin dy fëmijët e Artanit, bashkëshortja dhe nëna e tij. Më tej kanë sqaruar për policinë se prej kohësh Kadria, vuante nga një gjendje e rëndë psikologjike dhe se prej dy vitesh nuk ishte më punonjës i një prej bankave kryesore në kryeqytet. Ngjarja ka precipituar brenda disa orësh, ku rreth orës, 22:00 të mbrëmjes së të dielës, policia ka rrethuar zonën. Forca të RENEA-s, policisë, madje edhe drejtori i Tiranës, ka qenë në vendngjarje menjëherë pas sinjalizimit. Policia ka tentuar të hyjë në apartamentin e tij, por duke pasur një derë të blinduar e për të shmangur ndonjë situatë të paparashikueshme, kanë nisur negociatat me Artan Kadriajn. E gjithë ngjarja ka përfunduar pas 5 orësh, rreth orës 03.00 të mëngjesit të së hënës kur ai ka pranuar të hapë derën dhe menjëherë është dërguar në spital. Në fillim u fol se kishim të bënim me një pengmarrje, por më pas familjarët sqaruan se njeriu i tyre kishte tentuar të vriste veten me një çifte, që e mbante me leje. Drejtori i Policisë së Tiranës tha se ai po mjekohet dhe nuk mund të procedohet penalisht, pasi nuk ka kryer asnjë vepër penale. E gjithë kjo mendohet se ka ardhur për shkak të kredive që kishte marrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›