Tallej në telefon, shoqërohet në polici fëmija 12-vjeçar
Ka nisur gjithçka si një lojë fëmijësh, por më pas situata ka dalë jashtë kontrollit, derisa një 12-vjeçar është kapur nga policia. Shtetasi Nesim Musa ka bërë një kallëzim pranë Komisariatit të Devollit, pasi ka marrë kërcënime të vazhdueshme nëpërmjet telefonit të tij celular. Policia e ka vlerësuar rastin dhe është vënë menjëherë në lëvizje, por pas tre javësh hetime është zbuluar se telefonatat kërcënuese bëheshin nga një fëmijë 12-vjeçar. Sipas policisë, që ka marrë në pyetje 12-vjeçarin me inicialet K.M., nxënës i shkollës 9-vjeçare të fshatit Baban të Devollit, ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë qëllim të keq ndaj shtetasit Nesim Musa, me të cilin nuk kishte asnjë njohje. Gjithçka ka nisur nga një thirrje telefonike që 12-vjeçari ka bërë nga telefoni i vet celular. Ai e ka nisur këtë si një lojë për t‘u tallur me personat që përgjigjeshin dhe Nesim Musa duket se ka qenë i pari që ka rënë në grackën e tij. Sipas deklarimeve të fëmijës, kërcënimet ndaj Musës kanë nisur pasi janë sharë disa herë nëpërmjet telefonit. Pasi ka "kapur" një person me të cilin mund të argëtohej, 12-vjeçari e merrte vazhdimisht në telefon burrin, duke e sharë dhe ofenduar, por situata është acaruar aq shumë, sa K.M. ka nisur të bëjë kërcënime për jetën, duke i thënë tjetrit se do ta vriste. Sipas policisë, fëmija kishte arritur ta bindte "viktimën" e tij se e njihte dhe kërcënimi ishte bërë i besueshëm. Në të vërtetë, nga hetimet ka rezultuar se 12-vjeçari nuk kishte asnjë njohje me Musën, i cili banonte në një tjetër fshat. Sipas policisë, fëmija mund të ketë përdorur edhe shokë të tjerë për të kërcënuar burrin nga fshati Mancurisht i Devollit, pasi telefonatat kërcënuese në drejtim të tij bëheshin nga numra dhe zëra të ndryshëm. 12-vjeçari u shoqërua për veprën penale të "Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike", por për arsye të moshës u la i lirë pas marrjes në pyetje.