E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarjet shkatërrojnë rrugën, izolohet fshati

23/02/2010 Pa komunikim 1 mijë banorë

BERAT- Shkarja e dherave ka shkatërruar krejtësisht rrugën e një fshati në rrethin e Beratit duke izoluar një mijë banorë. Rruga kryesore dhe e vetmja e fshatit Kapinovë është shkatërruar ditët e fundit si pasojë e shkarjes së dherave nga reshjet e shiut që vazhdojnë të bihen. Banorët e fshatit Kapinovë kanë dhënë alarmin kur kanë parë se shkarja e dherave ka shkaktuar shembjen e rrugës së vetme që i lidh me pjesën tjetër të fshatit, komunën dhe qytetin e Beratit. Kryetari i komunës Vërtop Flamur Balliu bëri të ditur dje se gjendja në shumë fshatra të kësaj komune është shumë e vështirë, pasi shumë rrugë që lidhin fshatrat me njëri-tjetrin janë shkatërruar, por më e vështirë situata sipas tij paraqitet në fshatin Kapinovë. Një mijë banorë të këtij fshati janë të izoluar krejtësisht, pasi rruga në hyrje të fshatit është shkatërruar nga dherat që kanë përfunduar në rrugë. Nga inspektimi që është bërë në vendin e ngjarjes mësohet se rreth 200 metra linearë rrugë është dëmtuar nga shembja dhe është bërë e pakalueshme. Shembja e rrugës ka marrë me vete dhe shtyllat e energjisë elektrike, çka ka bërë që komuna të marrë masat e menjëhershme duke vendosur shtylla të përkohshme prej druri për mos lënë në errësirë banorët. Kryetari i komunës Balliu kërkon ndërhyrje urgjente, pasi situata paraqitet tepër e vështirë. Ankesat kanë nisur dhe nga ana e banorëve, të cilët ndihen të lënë pas dore dhe nuk mund të kryejnë nevojat më imediate. Ata kanë ngelur të izoluar në anë të rrugës dhe lutem të mos kenë raste sëmundjesh apo fatkeqësish.

Rrezikohen banesat dhe tokat

Inertet devijojnë shtratin e lumit Osum

BERAT- Shfrytëzimi pa kriter i inerteve në lumin Osum me gjithë urdhrin e dhënë për ndërprerjen e aktivitet gjatë kësaj periudhe ka shkaktuar devijim e lumit. Banorët e fshatrave të komunës Velabishtë ankohen se ndihen të kërcënuar nga dalja nga shtrati dhe prurjet e shumta të këtij lumi, i cili ka dëmtuar tokat me të mbjellat e stinës duke marrë me vete sipërfaqe të tëra dhe vënë në rrezik banesat e tyre. Janë banorët e fshatit Bilçë, të cilët kanë ngritur zërin duke kërkuar ndërhyrje urgjente, pasi ujërat e Osumit po u rrëmbejnë tokat dhe vënë në rrezik banesat. Në lidhje me këtë problem kryetari i komunës Velabishtë, Bledar Çili, shprehet se gjendja është tepër alarmante në të gjitha fshatrat e kësaj komune që përshkohen nga lumi Osum si fshatrat Bilçë, Veretik, Remanic, Velabishtë. Përveç reshjeve të mëdha të shiut dëme ka shkaktuar dhe puna e lavatriçeve që kryejnë aktivitet dhe në stinën e dimrit, ndonëse kjo është e ndaluar nga qeveria. Ndërkohë që burime nga prefektura e Beratit bëjnë me dije se urdhri për bllokimin e firmave është dhënë në afatin e tyre dhe nuk kemi dijeni që ato kryejnë aktivitet në këtë periudhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›