E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohet rrënimit i Portikut të Apolonisë

23/02/2010 Boshatisen objektet arkeologjike, mblidhen specialistët

FIER- Reshjet e rëna me intensitet të ditëve të fundit, problemet e mëdha që kanë ndodhur në zonën e Myzeqesë, me përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe lëvizjet tektonike të tokës si dhe mungesa e një rikonstruksioni të plotë të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, ka bërë që të merren masa edhe për ruajtjen e vlerave antike dhe muzeale të Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Grupi i ekspertëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës ka urdhëruar boshatisjen e portikut të Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë. Drejtori i këtij instituti, prof. Valter Shtylla ka kërkuar evakuimin e menjëhershëm të objekteve arkeologjike që ndodhen në portik, gjë për të cilën është kërkuar edhe ndihma e ekspeditës gjeologjike- gjermane. Drejtuesit e Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, përfaqësuesit e Institutit Albanologjik dhe përfaqësuesit e Institutit të Monumenteve të Kulturës janë mbledhur mesditën e djeshme në kryeqytet për të ndërtuar një strategji të përbashkët për mbrojtjen e parkut arkeologjik të Apolonisë. Sipas drejtorit të këtij parku Marin Haxhimihali, pasi janë përcaktuar shkaqet e rrëshqitjeve të dherave janë thirrur specialistët më të mirë për të hartuar projektin për rikonstruksionin e portikut dhe fortifikimin e pjesëve të rrezikuara nga shkarjet. Kjo do të bëjë të mundur ruajtjen e vlerave të papërsëritshme që ka jo thjesht pjesa muzeale e Parkut Arkeologjik, por edhe vlera e madhe kulturore dhe historike e lashtësisë dhe prejardhjes sonë ilire.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›