E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Anija u qëllua nga grekët,600 metra brenda kufirit”

16/02/2005  Sot eskpertët në Sarandë

TIRANË – Eskpertë të specializuar nga qyteti i Vlorës, mbërrijnë sot në Sarandë, ku do të zhvillojnë verifikimet shkencore të anijes shqiptare, e cila u qëllua nga artileria e rëndë greke në datën 10 shkurt të këtij viti. Incidenti ndodhi në brendësi të kufitir të ujërave tona territoriale, ndërsa breshëritë e plumbave të mitralozit grek, synuan ekzekutimin e ekuipazhit prej tre vetash të anijes shqiptare të peshkimit.

Burime nga Prokuroria e Sarandës thanë dje, për gazetën “Metropol”, se do të zhvillohet ekspertiza e të gjitha shenjave që kanë lënë plumbat grekë në anijen shqiptare.

“Ekspertë nga qyteti i Vlorës do të kryejnë studimin dhe përcaktimin e projeksionit të të gjitha predhave që kanë mbërritur në sipërfaqen e anijes shqiptare të peshkimit. Kjo do të ndihmojë në përcaktimin e saktë e shkencor të veprës penale”, thanë burimet nga organi i hetimeve të qytetit jugor.

Pika e ndodhjes

Hetuesit e qytetit jugor kanë përcaktuar vendin ku është ndodhur anija shqiptare e peshkimit, në momentin kur është qëlluar nga një motoskaf i rojës bregdetare greke. Sipas të dhënave të radarit të anijes, ekuipazhi i saj lundronte 600 metra në bredësi të kufirit tonë detar, kur është urdhëruar nga drejtuesit e motoskafit grek, t’i ndiqte nga pas ata.

“Anija shqiptare ka patur në punë radarët, sipas të cilëve vendin e saj i ndodhjes ishte 600 metra në brendësi të kufirit tonë detar të territorin grek”, thanë burimet e akuzës.

Sipas tyre, vepra penale e kryer nga efektivat e rojës bregdetare greke, është dokumentuar plotësisht, ndërsa hetimet po vazhdojnë për saktësimin e rrethanave, në të cilat ka ndodhur incidenti.

Manovra greke

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Sarandës, bazuar edhe në dëshminë e ekuipazhit të anijes shqiptare, motoskafi grek ka kryer disa lëvizje në det para se të qëllonte. Ekuipazhi i rojës bregdetare të vendit fqinj ka kryer disa lëvizje në det, derisa ka arritur një pozicion, nga i cili mund të qëllonte i sigurt ndaj anijes shqiptare. “Pozicionimi i mjetit lundrues grek, kundrejt anijes tonë, ka qenë i tillë që pre e breshërive të mitralozit 12.7 milimetërsh të binte pjesa e anijes ku ndodhej ekuipazhi shqiptar. Prokuroria e Sarandës ka konfirmuar faktin se shkaku i incidentit, ka qenë tentativa e palës greke për të tërhequr në brendësi të kufirit të tyre, ekuipazhin shqiptar të anijes. Pasi ky i fundit ka kundërshtuar, grekët kanë qëlluar me artileri. Sipas hetimit, pozicionet e predhave dhe drejtimi i tyre ka patur për qëllim vrasjen e ekuipazhit të anijes shqiptare të peshkimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›