E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja Erdogan dhe Xhoana Nano vizitojnë Xhaminë dhe shtëpinë e fëmijëve

16/02/2005  Bashkëshortet e dy kryeministrave, turk dhe atij shqiptar, Emine Erdogan dhe Xhoana Nano, kanë zhvilluar një vizitë nëpër Tiranë. Dy zonjat kanë vizituar pasditen e djeshme xhaminë e Et’hem Beut, në qendër të kryeqytetit. Zonjat janë njohur me historikun e Xhamisë, ndërtimi i së cilës daton në vitin 1793 nga një tiranas i vjetër Et’hem Bej Mulleti, për të përfunduar 12 vjet më pas nga i biri i tij, Mulla Bej Mulleti. Gjithashtu, zonjat vizituan nga afër ambientet e brendshme të xhamisë, duke u njohur me elemente të tjerë, që dëshmojnë rëndësinë dhe vlerat e këtij monumenti të rëndësishëm fetar dhe kulturor, i cili shquhet për afresket shumë të vjetra dhe që mbartin vlera të patjetërsueshme historike dhe artistike. Gjatë takimit të zhvilluar me këtë rast në xhaminë e Et’hem Beut, bashkëshortja e Kryeministrit të Turqisë u shpreh se "kjo vizitë do t’i shërbejë forcimit të miqësisë dhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme mes dy popujve tanë. Gjithashtu, ajo vlerësoi në mënyrë të veçantë bashkekzistencën dhe harmoninë e shkëlqyer fetare në Shqipëri". Në axhendën e vizitave, të dy zonjave të dy kryeministrave, kanë zhvilluar takime me kryetarin e Komunitetit Musliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça, nga Myftiu i Tiranës, Bledar Myftari, si dhe me nxënëset e shkollës së Medresesë. Zonja Erdogan dhe zonja Nano kanë vizituar dhe Muzeun Historik Kombëtar, ku panë nga afër objekte dhe vepra që faktojnë historinë e Shqipërisë në stendat e pavioneve të ndryshme, që nga periudha e lashtësisë e deri në ditët tona. Zonja Erdogan ka bërë disa dhurata dhe një ndihmë finaciare prej 1500 euro për Shtëpinë e Fëmijëve ”Zyber Hallulli“. Në këtë shtëpi, ajo është njohur nga afër me kushtet e jetesës së fëmijëve jetimë, si dhe me disa nga ambientet e reja të rikonstruktuara të kësaj godine. Ajo ka vlerësuar kontributin që jepet për të ndihmuar këta fëmijë jetimë, të cilët në shenjë mikpritjeje për këtë vizitë, kishin përgatitur edhe një koncert artistik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›