E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Zgjedhjet do jenë tregues i pjekurisë"

16/02/2005  Kryeministri Erdogan thekson se Turqia do të jetë avokati i Shqipërisë për integrimin në NATO

Nano: Turqia po konsolidohet në tre vendet e para si partner tregtar dhe ekonomik i Shqipërisë

Kryeministri turk, Tayyip Erdogan, gjatë takimeve me krerët e shtetit shqiptar ka konfirmuar marrëdhëniet mëse të mira mes të dy shteteve. Madje, Erdogan është shprehur se Turqia do të vazhdojë të jetë avokati i Shqipërisë në integrimin në BE dhe në NATO. Ndërsa ka theksuar dhe një herë rëndësinë e zhvillimit të votimeve. "Zgjedhjet e përgjithshme do të jenë një tregues i pjekurisë së politikës dhe popullit shqiptar, pavarësisht rezultatit, ajo që do të fitojë do të jetë demokracia", tha Erdogan. Gjithashtu në takimet e zhvilluara me Kryeministrin Nano, Erdogan ka theksuar se biznesmenët turq do të rrisin investimet në Shqipëri.

Mbështetja

Kryeministri turk ka vlerësuar tepër pozitivisht qëndrimet e Shqipërisë mbi çështjet e rajonit. "Shqipëria është një vend, i cili ndodhet në një pozitë kyç në Ballkan. Me politikën e saj të ekuilibruar dhe të matur po e ruan këtë veçori dhe tiparin e saj si faktor kryesor politik në Ballkan. Me këtë qëndrim, Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm edhe në kuadrin e integrimit të saj në Evropë dhe në të gjitha institucionet euroatlantike", tha Erdogan. Ndërsa në lidhje me ftesën e marrë për vizitën në Shqipëri, ai tha se është i shoqëruar me një delegacion të madh, duke iu përgjigjur ftesës "që më bëri miku im Fatos Nano". Erdogan i ka vlerësuar lidhjet mes të dy vendeve si solidare. "Midis nesh nuk ka asnjë problem. Lidhjet tona miqësore, karakteristikat tona të përbashkëta kulturore mbështeten në thellësitë e shekujve", tha Kryeministri turk. Erdogan shtoi se Turqia është tepër e vendosur të japë çdo mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pasi kjo është e rëndësishme dhe një avantazh strategjik edhe për vetë rajonin. "Ne vazhdojmë të kemi një bashkëpunim të dobishëm me Shqipërinë edhe në kuadrin e iniciativave rajonale si iniciativa e Bashkëpunimnit Ekonomik të Detit të Zi, bashkëpunimi midis vendeve të Evropës Juglindore etj.", nënvizoi Erdogan.

Nano

Kryeministri i Shqipërisë tha se takime të tilla japin mundësinë "ne Kryeministrave të të dy vendeve, të jemi akoma më të mbështetur dhe më të motivuar për ta sjellë partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë në një bashkëpunim të gjithanshëm, të frytshëm dhe konkurrues midis sipërmarrësve”. Sipas tij, Turqia po konsolidohet në tre vendet e para si partner tregtar dhe ekonomik i Shqipërisë. "Volumet janë dinamike edhe për eksportet shqiptare në tregun turk dhe kjo po zgjeron njohjen dhe interesat afariste reciproke. Këto dy vitet e fundit, shkëmbimet tregtare janë në shifrën e 160 milionë dollarë, nga rreth 12 milionë që kanë qenë në vitin 2003. Dhe ky realitet është bërë i mundur për shkak të fazës së rëndësishme të zhvillimit, në të cilin ka hyrë Shqipëria, fazën e bashkëpunimit rajonal dhe të afrimit me standardet e tregjeve evropiane, në kuadrin e asociimit me BE”, vijoi Kryeministri. Gjithashtu, Nano theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e bashkëjetesës po nxisin krijimin e një hapësire tregtare më të madhe sesa ajo e vendeve të veçanta. Dy Kryeministrat ndanë të njëjtin vullnet për të përshpejtuar dhe përfunduar sa më parë të jetë e mundur marrëveshjen e shkëmbimit dhe të Tregëisë së Lirë midis dy vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›