E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ne parandaluam tragjedinë në Kanalin e Korfuzit”

16/02/2005  Kapiteneria e Sarandës, 15 minuta komunikim me homologët grekë

SARANDË – Autoritetet e Kapitenerisë së Portit të Sarandës kanë dalluar dhe parandaluar shndërrimin në tragjedi të incidentit të rëndë të ndodhur disa ditë më parë, në ujërat e Kanalit të Korfuzit, midis kufitarëve grekë e peshkatarëve shqiptarë.

Pas komunikimit nga marinarët se peshkarexha po qëllohej me armë zjarri nga rojet kufitare helene, Kapiteneria e Sarandës ka komunikuar me Kapitenerinë e shtetit fqinj për më shumë se 15 minuta për të parandaluar tragjedinë që pritej të ndodhte në ujërat shqiptare, bënë të ditur drejtues të Kapitenerisë së Sarandës. Sipas të njëjtave burime, autoritetet greke, pasi janë njohur me ngjarjen, kanë dhënë urdhër për ndëprerjen e zjarrit dhe largimin e mjetit lundrues luftarak nga ujërat neutrale.

Ndërhyrja e Kapitenerisë së Sarandës është konfirmuar nga shefi i Kapitenerisë së portit të këtij qyteti, Kostandin Dhima.

Sipas tij, “policia greke nuk ka patur dijeni për atë që po ndodhte në detin Jon nga mjeti lundrues i tyre. Njoftimi parë i ngjarjes është marrë vetëm nga Kapiteneria e Sarandës dhe reagimi i tyre ka qenë i menjëhershëm, duke parandaluar tragjedinë në ujërat e Kanalit të Korfuzit”, bëri të ditur shfi i Kapitenerisë së Portit të Sarandës.

Dhima vuri në dukje se edhe institucioni i tyre është i interesuar për realizimin e një takimi dypalësh në vendin ku ndodhi incidenti.

“Ne shpresojm në realizimin e këtij takimi, i cili do të hedhë dritë për incidentin e përsëritur”, përfundoi Dhima.

Incidenti i armatosur, ndodhi rreth mesditës së datës 10 shkurt. Anija shqiptare “Tre Vëllezërit”, me pronar Kreshnik Çelën dhe marinarë Dritan Çelën dhe Kostaq Kaçorrin, kanë qenë duke peshkuar në Kanalin e Korfuzit, pranë Gjirit të Butrintit. Anija me flamurin shqiptar, nuk i kishte kaluar ujërat tona territoriale, kur motoskafi i rojës bregdetare greke i ka kërkuar të afrohej. Grekët i kanë kërkuar ekuipazhit shqiptar të shkonte pas motoskafit, duke e argumentuar këtë më faktin se anija shqiptare kishte hyrë në ujërat territoriale të Greqisë. Ekuipazhi i anijes shqiptare e ka kundërshtuar urdhrin e dhënë nga grekët, duke konfirmuar se anija e tyre ndodhej brenda ujërave territoriale shqiptare. Rojet bregdetare greke kanë qëlluar fillimisht në ajër dhe më pas në drejtim të anijes shqiptare gjithë irritim, por më pas janë larguar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›