E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrihet drejtori i gjimnazit në sy të drejtores së Arsimit

09/06/2005  Terror në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”, prindi hakmerret për ngeljen e djalit në klasë

KORÇE - Drejtori i gjimnazit “Themistokli Gërmenji” në Korçë, Kristaq Mosko, është bërë pre e dhunës që në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë. Dhuna ndaj tij, ka ndodhur në prezencë të drejtores Rajonale të Arsimit, Ana Verushi.

Kristaq Mosko është rrahur nga prindi i një nxënësi, pasi fëmija e tij kishte mbetur në një nga provimet e maturës, një ditë më parë. Ngjarja u bë e njohur nga policia e Korçës, e cila sqaroi për gazetën “Metropol” se, personi që kishte rrahur drejtorin e shkollës kishte qenë Muhamet Koçibelli, prindi i një nxënësi. Ndërkohë të njëjtat burime pohuan se autori i kësaj ngjarjeje është shoqëruar për në komsariatin e policisë dhe është marrë në pyetje për sqarimin e rrethanave të saj.

Ngjarja

Ngjarja, sipas burimeve zyrtare ka ka ndodhur në orën 09.45 minuta të ditës së mërkurë.

Ndërsa kishte filluar proçesi mësimore dhe dhënia e provimeve për maturantët, autori i ngjarjes është futur në gjimnazin “Themistokli Gërmenji” dhe pa u ndalur nga askush dhe është ngjitur drejt katit të dytë, ku ndodhet zyra e drejtorit. Pikërisht para derës së kësaj zyre, prindi i gjimnazistit dhe Mosko janë konfliktuar midis tyre. Sherri i nisur me fjalë ka përfunduar me rrahjen e drejtorit të shkollës.

Burime të policisë sqaruan se Mosko kishte mbetur i dëmtuar në fytyrë dhe te njëri sy. Gjithë skena tronditëse ka ndodhur në prani të gjimnazistëve, por edhe të drejtoreshës Rajonale të Arsimit, Ana Verushi, e cila ndodhej aty për të ndjekur nga afër ecurinë e provimeve.

Gjimnazistët

Ndërsa sherri i nisur mes prindit Muhamet Koçibelli dhe drejtorit Kristaq Moskos dhe i përfunduar më rrahje kishte ndodhur në korridorin e katit të dytë, përballë zyrës së drejtorit, nxënësit që ndodheshin aty, kanë dhënë alarmin.

Për pasojë, brenda një çasti të vetëm, gjithë gjimnazi “Themistokli Gërmenji” është përfshirë nga paniku dhe rrëmuja. Dëshmitarët okularë thanë për gazetën “Metropol” se në shkollën e tyre u ndërpre proçesi mësimor dhe provimet e maturantëve.

Asnjë nuk ishte i sigurtë se kush mund të kishte lajmëruar uniformat blu, pasi shumë celularë mund të kenë telefonuar në të njëjtën kohë për të kërkuar ndihmën e policisë, por e vërteta është se furgoni i policisë mbërriti mjaft shpejt në vendngjarje, ndërsa nxënësit, edhe pas ndërhyrjes së policisë, kishin mbetur të shokuar.

Denoncimi

Drejtori i gjimnazit, Kristaq Mosko, fill pas kësaj ngjarjeje është paraqitur në Komisariatin e Policisë Korçë, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Arsimore për Qarkun e Korçës, Ana Verushi, ku kanë bërë denoncimin në polici. Ky fakt u bë i njohur për gazetën “Metropol” nga burime të Drejtorisë së Policisë Korçë, të cilat pohuan se pas denoncimit të Moskos për rrahje nga ana e babait të nxënësit, forcat e policisë janë vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes dhe e kanë ndaluar atë fill pas denoncimit. Tashmë mbetet që hetimet e mëtejshme të sqarojnë gjithë hollësitë e kësaj ngjarjeje që tronditi gjimnazin që në orët e para të mëngjesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›