E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mimoza Xhamia, është edhe s’është kufoma e saj

09/06/2005  Interesimet në morg, shtyjnë kthimin e viktimës në shtëpi

BILISHT - Të afërmit e viktimës Mimoza Xhamia kanë pritur dy ditë me radhë kthimin e trupit të saj pa jetë në shtëpinë e prindërve në Bilisht të Devollit. Deri në mbrëmjen e së mërkurës, nuk ishte bërë e mundur ardhja e saj. Shkak i kësaj vonese, tri ditë pas identifikimit, janë bërë dyshimet e hedhura nga dy familje të tjera, të cilat pretendojnë se viktima është njeriu i tyre.

Dyshimet

Ky kthim i pabesueshëm te dyshimet për identitetin e kufomës së gjetur tek “Ara e Sallakut”, rreth 10 ditë më parë, i cili është pasuar edhe me rikthimin në fillimin të proçedurave ligjore, është provokuar nga një familje që i përket rrethit të Pogradecit dhe nga një tjetër e parqitur në morg nga rrethi i Elbasanit. Të afërm të këtyre familjeve kanë pretenduar se vajza “e identifikuar” si Mimoza Xhamia, 32 vjeçe, nga qyteti i Bilishtit, nuk është ajo, por një njeriu i tyre i afërm.

Kjo ngjarje e pabesueshme është bërë e njohur nga njerëz të afërm të familjes Xhamia, të cilët kanë qenë të pranishëm në morg dhe ndërsa kanë shpresuar në tërheqjen trupit pa jetë të Mimozës, janë përballur me pretendime të tilla.

Familja

Përball këtij fakti, familja Xhamia në Bilisht është gjendur mes një pështjellimi të çuditshëm dhe të pashpjegueshëm.

Tashmë për shumë të afërm, që e kanë parë me sytë e tyre trupin në morg, mendojnë se është Mimoza, ndërsa shumë të tjerë me përhapjen e këtij lajmi kanë shpresuar se Mimoza mund të jetë gjallë.

Të njëjtën gjë shpreson edhe Valenti, vëllai i Mimozës, duke menduar se trupi i viktimës nuk është njohur mirë nga të afërmit, pasi ajo ka qenë mjaft e dëmtuar. Edhe pse kjo ngjarje u duket pak e besueshme, urojnë që të mos jetë Mimoza, të cilën e kanë vajtuar për ditë të tëra me radhë.

Të afërmit

Njerëzit që kanë ardhur nga larg për të pritur trupin e Mimozës, nuk kanë ditur si të vendosin, të kthehen sërish në shtëpinë e tyre apo të qëndrojnë aty, në pritje të një lajmi të dytë. Për ata, është e vështirë të besojnë si lajmet e mira, ashtu dhe ato të këqija, aq më tepër kur në fillim u tha se ishte trupi i Alketa Muratit, kurse tashmë dyshohet se nuk është as i Mimozës.

Për të afërmit e familjes Xhamia, ende nuk dihet me saktësi nëse organet e drejtësisë ndodhen përpara problemeve të tjera që kërkojnë analiza më të hollësishme në përcaktimin e identitetit të viktimës.

Sidoqoftë, viktima e identifikuar si Mimoza Xhamia, nga Bilishti, nuk është lejuar nga policia të merret nga njerëzit e saj të afërm, të cilët ende presin kthimin e mundshëm të trupit.

Çudia pas (mos)identifikimit

Sa shumë femra të zhdukura!

Përhapja e lajmit se trupi i viktimës së Gracenit, nuk është i Mimozës, ndërsa ka qetësuar disi shpirtrat e të afërmve të saj, i ka lënë të befasuar fakti se si ka mundësi që për një viktimë të paraqiten kaq familje në të njëjtën kohë.

Asnjehërë nuk është folur për zhdukje në përmasa të tilla të femrave.

Mjaftoi vetëm kërkesa për identifikimin e trupit të gjetur në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan që të nxirrte në pah se mjaft femra të tjera janë zhdkur pa lënë gjurmë, për të cilat familjet e tyre nuk kanë asnjë dijeni.

Precedenti/ Alketa Murati, policia e gjeti te të afërmit në Tiranë

Burri identifikoi viktimën si bashkëshorten e tij

ELBASAN – Viktima e gjetur e ekzekutuar dhe pjesërisht e djegur më 1 qershor, tek “Ara e Sallakut” në fshatin Gracen të Elbasanit, u dyshua nga disa familjarë se i përkiste një 17-vjeçareje nga Sukthi, e martuar dhe në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Këto dyshime ranë posht, sepse e zhdukura prej disa ditësh, Alketa Murati, u gjet në orët e vona të datës 2 qershor te të afërmit e saj në Tiranë.

Familjarët e Alketës, pikërisht Llazan Gjoni, bashkëshorti i saj, dyshoi se kufoma e gjetur në anë të rrugës nacionale Elbasan–Tiranë, i përkiste Alketa Muratit, me origjinë nga Dibra, banuese në Sukth të Durrësit. Sipas tij, i cili menjëherë pas njoftimit u paraqit në Elbasan së bashku me të afërm të tjerë, për të identifikuar kufomën, u mësua se Alketa ishte larguar nga shtëpia mëngjesin e datës 29 maj, të këtij viti.

Vetëm disa ditë më pas, pikërisht mbrëmjen e së nesërmes që u gjet kufoma, e dyshuara si viktimë, Alketa Murati, u gjet në banesën e të afërmve të saj në Tiranë.

Rasti i dytë

Një grua u zhvarros në Tiranë, për t’u rivarrosur në Devoll

Për rrethin e Devollit ky është rasti dytë që shënon ngjashmëri. Më 28 prill të këtij viti, u mor gabimisht nga morgu i spitalit të Tiranës, trupi pa jetë i Firdes Barollit, 53 vjeçe, banore e fshatit Trestenik në Devoll dhe po gabimisht u varros nga njerëz të tjerë në rrethinat e Tiranës.

Për këtë arsye u desh që të bëhej zhvarrimi i saj dhe varosja përsëri në fshatin ku kishte jetuar në Trestenik.

Se si doli viktima aq lehtësisht nga morgu, mbetet absurde edhe sot. Ndoshta kjo është arsyeja, mendojnë të afërm të Mimozës, që prokurorët po tregohen të kujdesshëm në përcaktimin e plotë të identitetit të trupit të viktimës, e cila u gjet në Gracen të Elbasanit.

Kufoma ende në morgun e Elbasanit

Kthimi i trupit pranë framiljes vonohet nga mospërfundimi analizave

ELBASAN - Ndërsa policia dhe prokuroria e rrethit të Elbasanit, janë në rrugën e hetimeve për të zbardhur rrethanat dhe autorët e ngjarjes së rëndë të regjistruar një javë më parë, në vendin e quajtur “Ara e Sallakut”, në km 25 të rrugës nacionale Elbasan-Tiranë, trupi gjysmë i djegur ndodhet ende në morgun e spitalit të Elbasanit.

Mësohet se ka patur familjarë të tjerë të interesuar për kufomën e gjetur disa ditë më parë. Këtë e konfirmojnë edhe burime të prokurorisë së rrethit, sipas të cilave, mësohet se megjithë interesimin, të dhënat më të sakta, që ata shpresojnë t’i afrohen identitetit të viktimës, të jenë ato të familjes Xhamia, nga Bilishti.

Ndërkohë, edhe sipas përgjegjësit të morgut, e vetmja që ka bërë njohjen dhe ka deklaruar se ajo është motra e saj, Luljeta Xhamia, gruaja nga Durrësi, e cila shoqërohej nga bashkëshorti i saj. Ajo e ka njohur edhe nëpërmjet dhëmbëve dhe disa detajeve të tjera që, sipas saj, trupi i shkrumbuar i përkiste Mimozës, gruas me banim në Durrës, nënë e një fëmije.

Sipas të dhënave paraprake, Mimoza Xhamia është larguar një ditë përpara se të gjendej kufoma në rrugën nacionale dhe sipas familjarëve ajo nuk ka dhënë asnjë shenjë shqetësimi.

Gjithsesi, edhe pse mësohet se trupi i pajetë është njohur nga familjarët e saj, pa ardhur konfirmimi zyrtar i analizave të gjakut, askush nuk mund të lëvizë trupin nga morgu i spitalit. Mësohet se e motra e Mimozës, Luljeta, është shprehur mjaft e sigurt kur ka parë trupin e djegur, duke u shprehur se ai i përket Mimozës 32-vjeçare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›