Helmon veten me fostoksinë, 16-vjeçarja
09/06/2005 BERAT - Ka gjetur vdekjen pas mbërritjes në spital në gjendje tepër të rëndë për jetën, ndonëse mjekët për disa orë me radhë kanë bërë të pamundurën për ta shpëtuar nga rreziku që i kanosi helmi famëkeq. Ky ka qenë fati i 16-vjeçares Avisa Koxhaj, nga fshati Gegë i rrethit të Kuçovës. Një sasi e fostoksinës e pirë me ndërgjegje, kishte vepruar në organizmin e saj, duke mos i lënë mjekëve asnjë shans. Burime nga spitali i Beratit, bënë të ditur se 16-vjeçarja kishte mbërritur në repartin e urgjencës rreth orës 19.30 të ditës së djeshme në gjendje tepër të rëndë për jetën. Bluzat e bardha kanë konstatuar se vajza kish pirë një sasi të konsiderueshme fostoksine dhe për disa orë me radhë i kanë ofruar çdo ndihmë mjekësore, por nuk kanë mundur ta shpëtojnë. Trupi i pajetë i vajzës është dërguar më pas në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar vizitës ligjore, ku dhe është zyrtarizuar se vdekja kish ardhur pas një vetëhelmimi me fostoksinë.