E Diel, 1 Nëntor 2026

Anijet e sekuestruara, rrezikojnë të mbyten

12/04/2005  Dy muaj, tre anije të sekuestruara

DURRËS - Sekuestrimet e anijeve, për shkaqe të ndryshme, të cilat po hetohen nga organet e drejtësisë, kanë ringjallur frikën e vënies në dyshim të sigurisë portuale. Shija e hidhur e lënë nga mbytja e disa anijeve, të cilat ishin braktisur nga ekuipazhet, pasi ato janë vendosur nën shiritin e sekuestros, ka të ngjarë të detyrojë autoritetin portual të kërkojë të tjera fonde për zhvarrosjen e tyre nga thellësitë e detit, ashtu siç është detyruar të bëjë me anijet e mëparshme, që u fundosën.

Anijet e sekuestruara kërcënohen nga mbytja

Tri anije të mëdha të sekuestruara në këto dy muaj të fundit në Durrës kanë rikthyer të njëjtin kërcënim të mbytjes së mjeteve lundruese brenda basenit portual. Trageti “Media V” dhe anijet tregtare “Eni” dhe “Joni”, që të gjitha me moshë mbi 40-vjeçare,

tashmë të ankoruara pranë njëra-tjetrës në kalatën lindore të portit më të madh të vendit, nuk do të mund të lëvizin që andej deri sa të përfundojë i tërë procesi gjyqësor ndaj pronarëve dhe marinarëve. Por, ndërsa maratona gjyqësore është në hapat e startimit të saj, anijet, për shkak të amortizimit shumëvjeçar,

si dhe të mbetjes në mëshirë të fatit, kanë risjellë shqetësimin e mbytjes së mundshme. Nëse situata nuk do të kapet në kohë, do të duhet përsëri fondi në qindra e mijëra euro, siç ka ndodhur me anijet e tjera të mbytura, për t’i nxjerrë nga deti.

Tri anije të sekuestruara në dy muaj

Tri ditë më parë forcat e policisë bllokuan në kalatën lindore anijen tregtare “Joni”, e cila dyshohet se do të kryente transportin e 22 klandestinëve drejt brigjeve italiane. Prokuroria e Lushnjës, që po zhvillon hetimet e trafikut njerëzor që prej dy javëve, vendosi masën e sekuestrimit mbi anijen me moshë 64-vjeçare, e cila gjatë viteve të fundit kishte kryer shumë pak lundrime. Anija me gjatësi 39 metra u vendos pranë dy mjeteve të tjera lundruese që janë sekuestruar gjatë dy muajve të fundit. Trageti “Media V” që nga 31 janari ka bllokuar 100 metra në pjesën lindore të portit detar. Mjeti i madh lundrues me kapacitet 940 udhëtarë dhe 330 automjete “mbahet peng”, pasi drejtuesit e saj u kanë dy firmave shqiptare një borxh të përgjithshëm prej 236 mijë euro. Kjo ka bërë që 86 marinarë të tragetit me moshë mbi 40-vjeçare, që do të lundronte në linjën

Durrës-Bari, po largohen një nga një nga anija dhe braktisja nga marinarët e ka shtyrë anijen të qëndrojë e pasigurtë në kalatë. Ashtu si dhe trageti “Media V”, anija “Eni” ka pësuar të njëjtin fat, ndërsa 6 marinarë të saj aktualisht ndodhen në qelitë e paraburgimit në komisariatin e Durrësit, nën akuzën e kontrabandës së kontenierëve me cigare dhe anija, e cila rrezikon të lihet në harresë, paraqet të njëjta probleme si dhe dy të tjerat.

Anijet e sekuestruara, përvojë e hidhur

Siguria portuale në rrezik dhe peng i anijeve të bllokuara

Porti detar në Durrës ka një lloj shije të hidhur me anijet e sekuestruara, disa prej të cilave janë mbytur brenda basenit. “Lucky mar”, “Santa Barbara”, “Delon”, “Stefanos” etj., janë disa nga emrat e anijeve të sekuestruara, pjesa më e madhe e të cilave nuk arritën të shiteshin në ankand, duke bllokuar për vite me radhë qindra metra kalatë. Për nxjerrjen e tyre nga uji u shpenzuan afro 250 mijë euro, ndërsa më pas ato u prenë si material hekurishte për skrap. Disa anije të tjera u transferuan për në portin e Zvërnecit në Vlorë, duke shkaktuar të tjera shpenzime të tepërta. Ripërsëritja e kësaj përvoje negative ka vënë në vështirësi edhe sigurinë portuale në portin e Durrësit, që konsiderohet si e ardhmja e Korridorit 8.

Burime zyrtare nga kapiteneria e portit, bëjnë të ditur se mjetet e sekuestruara janë sistemuar në një kënd që nuk paraqesin pengesa për manovrat e anijeve të tjera në basenin portual, por rreziku i mbytjes së tyrë është gjithnjë i pranishëm. Mosha e madhe e anijeve dhe mungesa e kujdesit për to, krijon kushte për amortizimin përfundimtar të tyre. Tashmë këto anije jo vetëm që nuk mirëmbahen më, por edhe janë lënë në harresë, madje edhe nga vet pronarët e tyre. Këta të fundit, për shkak të krizës ekonomike kanë mundur t’i mbajnë në aktivitet anijet dhe tragetet tashmë të sekuestruara, por, sipas burimeve zyrtare, ato kanë vite që nuk plotësonin kushtet e lejueshme për lundrim.

Për shkak të penalizimit të tyre, anijet mësohet se do të kalojnë në Rezervat e Shtetit, nga ku do të nisë edhe procerdura e shitjes së tyre. Por përvoja me raste të tilla të sekuestrimit e më pas të shitjes ka qenë shumë e gjatë dhe për një shitje të mundshme shuma e arkëtuar ka qenë shumë më të vogla sesa

shpenzimet për t’i nxjerrë nga ujërat ku ata rrezikojnë të mbyten. Krahas këtyre anijeve, siguria portuale është vënë në dyshime edhe nga anijet që dalin herëpashere në breg. Në dhjetor e janar katër anije, mes tyre edhe “Joni”, që është sekuestruar javën e kaluar kanë përfundur në breg pas këputjes së spirancave. Të njëjtin fat si “Joni” kanë pasur edhe anija 500 tonëshe “Klemar”, “Disko lundruese” dhe “4 elementet”, për shkak të rënies së gatishmërisë së ekuipazhit. Me fillimin e punimeve në port, anijet e mësipërme, por edhe anije të tjera, janë urdhëruar të lënë kalatat e të vendosen në radën e jashtme. Por për shkak të daljes nga aktiviteti tregtar dhe lënies në harresë nga pronarët, anijet kanë përfunduar në breg, duke risjellë problemet e pasigurisë portuale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›