E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qendra do të funksionojë dhe pa gjermanët”

12/04/2005  Antitrafiku/ Konsulli shpreh gatishmërinë për bashkëpunim

VLORË – Qendra Antitrafik në Vlorë do të vazhdojë të funksionojë normalisht dhe pas largimit të palës gjermane. Ky ka qenë mesazhi që është përcjellë dje në këtë qendër nga konsulli italian në Vlorë, Lorenzo Tomasini.

“Ne jemi këtu për të vazhduar dhe bashkëpunuar me të gjithë ata që duan të bashkëpunojnë në luftën e mëtejshme kundër trafiqeve dhe veprimtarive të paligjshme nëpërmjet detit. Aktualisht, ne jemi duke punuar së bashku me kolegët shqiptarë e grekë dhe do të vazhdojmë të punojmë dhe në të ardhmen në këtë qendër”, u shpreh Tomasini.

Përfaqësuesi i shtetit italian ka bërë një deklaratë të tillë në ambientet e Qendrës Antitrafik në Vlorë, ku dje ka filluar trajnimi i 15 punonjësve të policisë, me qëllim aftësimin për përdorimin e radarëve, për zbulimin e mjeteve lundruse në det në çdo moment, për parandalimin e trafiqeve të ndryshme, të kontrabandës, si dhe të trafikut të drogës dhe armëve nëpërmjet detit si dhe të trafiqeve të tjera të paligjshme. Specialistë të policisë dhe ushtrisë italiane si dhe të Guardia di Financës do të trajnojnë policët shqiptarë për përdorimin e radarëve.

Kreu i konsullatës italiane në Vlorë, Lorenco Tomasini, është shprehur i kënaqur për bashkëpunimin e deritanishëm midis dy policive dhe të Guardia di Financës, si dhe në luftën e vazhdueshme kundër trafiqeve njerëzore dhe të trafiqeve të tjera nëpërmjet detit.

“Jemi dy popuj me flamuj të ndryshëm, por kemi të njëjtin qëllim, luftën kundër trafiqeve. Për këtë qëllim punojnë njerëzit më të mirë, si ata italianë dhe ata të policisë shqiptare”, vijoi më tej Tomasini.

Kursi i trajnimit të punonjësve të policisë bëhet në ambientet e Qendrës Antitrafik, sepse, sikurse tha ambasadori italian, Januçi, në një vizitë që bëri më 8 mars në këtë qendër, ajo do të jetë një qendër e vërtetë operative dhe do të funksionojë me punën e përbashkët, me qëllim të justifikojë emrin që mban si qendër e antitrafiqeve.

“Deri në këto momente, ka thënë dje Tomasini, jemi të kënaqur me bashkëpunimin dypalësh, sepse ajo punë që është bërë në këtë qendër është bërë nga përfaqësuesit italianë e shqiptarë dhe nga askush tjetër. Qendra Antitrafik ka dhënë mjaft rezultate të kënaqshme në luftën kundër trafiqeve. Aktualisht, ne jemi duke punuar së bashku me kolegët shqiptarë dhe grekë e do të vazhdojmë të punojmë dhe në të ardhmen në këtë qendër. Qendra Antitrafik është e hapur, në të mund të vijnë dhe të bashkëpunojë me kolegët e tjerë kush të dojë, por dhe mund të largohet kush të dojë, nëse nuk i pëlqen të bashkëpunojë, ashtu si dhe është larguar përfaqësuesi gjerman. Gjithkush, ka përfunduar konsulli, që do të kthehet e ka derën të hapur për bashkëpunim në luftën kundër veprimtarive të paligjshme”.

Kundërshtitë me Igli Toskën

“Roli i Qendrës Antitrafik ka rënë”

Javën e kaluar, ministri i Rendit Publik e cilësoi të mbyllur misionin e Qendrës Antitrafik të Vlorës. Në një deklarim të tij gjatë Kongresit të Tetë të Policisë Evropiane në Berlin, Toska deklaroi se, “tashmë është publikuar nga të gjithë raportet ndërkombëtarë dhe partnerët që asistojnë Policinë e Shtetit, që trafiku i qenieve njerëzore nga Shqipëria pothuajse është në nivelin zero, ose në minimumin e tij historik. Kështu që, edhe roli për të cilin është ngritur kjo qendër për të funksionuar ka rënë. Ne mund të shikojmë kalimin e saj në një objekt tjetër, po për qëllime të policisë, për të qenë efikas në një fushë tjetër”.

Ndërkohë prej kohësh, partnerët gjermanë të kësaj qendre janë larguar, duke u shprehur për mungesë të efikasitetit të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›