E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e minierës së Selenicës, 30 vjet burg për 5 të akuzuarit

12/04/2005  Humbën jetën 7 punëtorë, pretenca e prokurorit

Vlorë – 30 vjet burg ka kërkuar Prokuroria për 5 të akuzuarit për tragjedinë në minierën e Selenicës. Dje në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë është zhvilluar seanca e radhës për të akuzuarit si shkaktarë të humbjes së jetës së 7 punëtorëve në minierën e Selenicës. Në seancën e djeshme gjyqësore janë dhënë konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë, si dhe kërkesat për dënimet për të 5 të pandehurit. Për Patrik Paskal, shtetas francez, me detyrë administrator në minierë, është kërkuar që të dënohet me 8 vjet burg. Ndërsa për të pandehurit Gëzim Beqiri është kërkuar 7 vjet burg për Faik Aliajn, 5 vjet heqje lirie, po aq është kërkuar dhe për Fetah Danaj dhe për Nazmi Danaj. Në këtë seancë, prokurorja e kësaj çështjeje, Liljana Gjonmema, ka lexuar për dy orë rresht të gjithë dosjen për ngjarjen në minierën e Selenicës, si dhe dosjet për secilin të pandehur, duke dhënë konkluzionet përfundimtare për shkaqet e tragjedisë së ndodhur në datën 12 mars të vitit të kaluar, ku si pasojë e shpërthimit të gazit metan humbën jetën 7 persona dhe u plagosën disa të tjerë. Pesë shtetasit që po gjykohen, sipas organit të akuzës janë fajtorë, sepse nuk kanë plotësuar kushtet teknike të punës në minierë. Mbas një jave do të zhvillohet seanca e radhës, ku do të jetë radha e mbrojtjes së të pandehurve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›