Anila Bisha: “Kam arritur pjekurinë time si aktore”
Izaura Ndoj
Një karrierë prej 20 vitesh dhe një nismë drejt aktrimit që në moshën 14-vjeçare kanë bërë që Anila Bisha të jetë një ndër aktoret më me fat në teatër. Pasioni për teatrin e ka ngacmuar Anilën që në vitet e para të rinisë së saj. Roli i saj i parë në skenën teatrore është me shfaqjen “Gurët e shtëpisë time” në vitin 1984, një shfaqje që në atë kohë mori shumë vlerësime. Ndërsa e kujton atë kohë me emocion, aktorja e njohur, Anila Bisha, është sot një nga aktoret më të preferuara për publikun shqiptar. Në të gjitha rolet e saj ajo është vlerësuar për atë çfarë ajo ka sjellë dhe ka interpretuar para publikut. Fillimet për të kanë qenë të mrekullueshme, pasi ka pasur fatin të punonte me artistë të merituar të kinemasë shqiptare si, Roza Anagnosti e Margarita Xhepa. Jeta artistike e saj ndër vite ka qenë e mbushur plot me surpriza, por ka pasur edhe momente të vështira dhe plot peripeci, që ajo i kujton me shumë emocion. Vlerat e saj si aktore janë gjithmonë në rritje dhe asnjëherë nuk humbasin, pasi ka marrë një mbivlerësim të suksesshëm në skenën teatrore, por dhe në kinematografi. Ajo ka një gamë të gjerë të roleve si në filma televizivë, ashtu dhe në teatër. E ndërkohë familja për Anilën është gjithçka. “Ajo gjithmonë vjen e para, të tjerat vijnë më pas. Unë për familjen kam sakrifikuar edhe nga profesioni im”, - u shpreh ajo gjatë intervistës. Aktorja Anila Bisha, vetëm pak kohë më parë u ngjit në skenën teatrore në shfaqjen “Romancë dashurie”, ku iu besua roli i Marinës. Duartrokitje të nxehta u dhanë nga publiku për “Romancë dashurie”, një komedi italiane e autorit Aldo Benedeti, e cila erdhi nën regjinë e Milto Kutalit e që përcolli për publikun mesazhin se “Familja është mbi gjithçka, njeriu për familjen duhet të bëjë të pamundurën dhe marrëdhënia në çift duhet të jetë sa më e civilizuar, larg dhunës, larg urrejtjes ekstreme”. Aktualisht ajo tregon se nuk ka ndonjë projekt në duar, pret me shumë emocion që pas Vitit të Ri t’i shfaqet përsëri publikut.
Anila, si kanë nisur fillimet tuaja me aktrimin?
Rrugën drejt aktrimit e kam nisur që në moshë të vogël, pasi unë kam filluar të luaj që në moshën 14-15-vjeçare, duke u angazhuar nëpër filma. Kanë qenë regjisorët Rikard Larja e Dhimitër Anagnosti që më kanë futur në rrugën e aktrimit. Në fillim më kanë marrë thjesht duke parë pamjen time të jashtme, u përshtatesha mirë personazheve, por unë, duke punuar mirë në atë rreth ku ishin Roza Anagnosti, Margarita Xhepa, në filmin “Gurët e shtëpisë sime”, edhe disa aktorë të rinj, filluan ngacmimet e mia të para dhe fillova të ndjek rrugën e aktrimit. Pastaj shumë shpejt vendosa që të bëhesha aktore dhe fillova ta pëlqeja jashtëzakonisht shumë. Çdo vit filluan të më bënin ftesë nga Kinostudioja regjisorë të ndryshëm për role nëpër filma dhe pa u futur në shkollë kisha një pjesëmarrje në shtatë filma. Më vonë konkurrova në Akademinë e Arteve, ku më ka përgatitur Ndriçim Xhepa, dhe për këtë do t’ia di gjithmonë për nder, sepse edhe ka sakrifikuar për të më përgatitur mua, pasi i duhej të vinte çdo ditë në shtëpinë time që të më përgatiste për konkurs. Futja ime në Akademi është merita e tij. Pastaj vazhdova shkollën, ku në fakt kam qenë një ndër studentet më të mira të kursit në Akademi. Në çdo shfaqje që bëhej atëherë gjithmonë kisha rolet kryesore dhe merrja notën maksimale nga të gjithë studentët e tjerë. Në vit të tretë vjen Fatos Haxhiraj, regjisor i Teatrit Kombëtar, ku donte të bënte një fragment me kursin tonë dhe më kishin caktuar që me atë regjisor të punoja unë femër dhe dy studentë meshkuj. Ai më pa dhe më pëlqeu shumë. Duke parë të dhënat e mia menjëherë në momentin që është vënë në teatër shfaqja “Besa” e Sami Frashërit, ai më kërkoi dhe u bë sebep që unë të filloja direkt punë në Teatrin Kombëtar. Kam filluar punë në Teatër dhe kam punuar gati tre vjet vetëm me kontratë, ndërkohë që unë bëja role herë pas here dhe nuk ma bënin emërimin. Më pas ka ardhur drejtor Gëzim Kame, që ka qenë një ndër profesorët e mi në Akademinë e Arteve. Ai i dinte të dhënat e mia dhe më ka bërë direkt emërimin. Kam 17 vjet që jam pjesë dhe punoj në Teatrin Kombëtar. Këmbëngulja dhe puna ime gjithmonë në rritje kanë bërë që të jem krenare dhe e ndiej që tashmë unë e kam vënë një emër në teatër. Ndoshta nuk mund të them që kam bërë nam në teatër, por e them me bindje se kam arritur pjekurinë time si aktore. Kam luajtur rolet e vajzave, koketave, por tani e ndiej që nuk mund t’i bëj më sepse kam arritur një pjekuri, pasi mosha bën të vetën dhe nuk jam më vetja ime. Nga përvoja në teatër dhe nga ana profesionale e ndiej se unë po arrij atje ku kam dëshirë.
Ku i shfaq aftësitë e tua si aktore: në dramë, apo në komedi?
Mua më shumë më kanë parë si aktore dramatike, por më pëlqen më shumë komedia. Më pëlqen komedia sepse unë ndjehem shumë komode në komedi, sepse jam një natyrë me shumë humor edhe në jetën e përditshme. Mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë, pasi kjo të ndihmon edhe me skenën, qoftë për të vënë edhe një personazh. Them që do t’i kushtoj më shumë vëmendje në një të ardhme komedisë.
Je një ndër aktoret që kërkohesh nga regjisorët, cilat janë arsyet?
Nuk mund të them që jam ndonjë aktore shumë e kërkuar. Në shfaqjet e fundit që kam bërë në Teatrin Kombëtar, të tria shfaqjet që kam bërë këtë sezon, te të tria, ku njëra ka qenë qind për qind e Teatrit Kombëtar dhe dy të tjerat kanë qenë me projekte, nga drejtoria e TK nuk më është dhënë asnjë rol. Këtë e kam fituar vetë unë si Anilë me punën time. Kështu që janë bindur regjisorët se unë mund t’i bëj ato role dhe në fund e kanë marrë shpërblimin edhe ata, edhe unë. Vlen të theksohet pasi unë jam shumë e kënaqur me bashkëpunimin që kam pasur me këtë regjisor, ku dy bashkëpunime i kam pasur me Spiro Dunin dhe premierën e fundit me Milto Kutalin. Faktikisht, në komedinë e Joneskos, “Këngëtarja tullace”, në Festivalin e Maqedonisë në Dibër, u vlerësova si aktorja më e mirë joprotagoniste me personazhin e zonjës Marta. Edhe shfaqjen e fundit publiku e priti jashtëzakonisht mirë.
Ke marrë pjesë në shumë premiera, cili rol të ka lënë më shumë mbresë?
Janë disa role, por një rol që më ka lënë me të vërtetë mbresë është roli i Borit. Ashtu quhej personazhi i një adoleshenteje që kam luajtur te shfaqja “Loja në oborrin tim”, një shfaqje shumë e bukur. Ai rol më ka lënë shumë mbresë sepse luaja edhe një adoleshente, edhe një gjykatëse. Pra njëkohësisht bëja dy personazhe. Dhe më vjen keq pasi ajo shfaqje nuk mundi të xhirohej. Kam plot shfaqje të tjera që më kanë lënë mbresa.
Anila, si të shikojmë mes filmit dhe teatrit?
Unë i pëlqej dhe i dua që të dyja, sepse emocionet që merr në teatër nuk i merr dot në film. Filmi të bën më të njohur, më popullore, sepse audienca është më e madhe, ndërsa teatri nuk frekuentohet aq shumë sa ekrani i vogël i televizorit. Këtë ka më pozitive filmi. Por mua si aktore emocionin që të jep teatri nuk ta jep kurrë filmi..., është komplet tjetër gjë.
Cila është gama e roleve tuaja?
Kam bërë rreth dhjetë filma, ndërsa në teatër, s’jam shumë e saktë se në sa premiera kam marrë pjesë. Edhe pse kanë qenë të shumta, nuk jam e kënaqur me këtë që kam bërë. Duhet të kisha bërë më shumë; shpresoj në të ardhmen do të jem akoma më mirë.
Cilat janë emocionet që të japin filmi dhe teatri?
Emocionet në teatër janë të drejtpërdrejta, ndërsa në film jo. Në teatër ke emocionin e personazhit, si dola etj., ndërsa në film je në pozicionin e një spektatori dhe ke vetëm atë emocion që mund të thuash: “Ah, sikur ta kisha bërë edhe këtë! Këtë s’e bëra mirë”. Këto janë ndryshimet mes teatrit dhe filmit.
Kush është momenti më i bukur dhe më i vështirë gjatë karrierës tuaj?
Momente të bukura nuk mund të them, por që kam pasur shfaqje ku kam marrë kënaqësi shumë të mëdha, e them me plot bindje. Kam pasur edhe momente të vështira në teatër. Kam ndenjur tre vjet pa punë dhe këto kanë qenë momente shumë stresuese për mua dhe më kanë dëmtuar shumë si person. Ato tre vjet kam ndenjur pothuajse e paangazhuar, dhe nuk kanë qenë për fajin tim.
Si arrin t’i mbash në rregull ekuilibrat ndërmjet familjes dhe punës?
Në fakt nuk është e vështirë që të mbash në rregull ekuilibrat për sa kohë ata janë korrekt me njëri-tjetrin, duhet të kesh vullnet dhe dëshirë. Por në qoftë se do familjen, gjithashtu dhe profesionin, gjenden ekuilibrat mes tyre.
Çfarë është për ty familja?
Familja për mua është gjithçka, ajo gjithmonë vjen e para, të tjerat vijnë më pas. Unë për familjen kam sakrifikuar edhe nga profesioni im.
Kush janë momentet e mërzitjes për ty dhe me kë i kalon?
Si të gjithë njerëzit, natyrisht edhe Anila mërzitet, pasi ne jemi edhe më emotivë sesa të tjerët, si natyra e vetë aktorit. Momentet e mërzitjes i kaloj me tim shoq, Besnikun, pasi atë kam shokun më të mirë. Momentet e mërzitjes i kaloj vetëm me atë dhe me asnjë njeri përveç tij. Ai me mua dhe unë me të, ne kështu e kemi krijuar marrëdhënien.
Veç pasionit të aktrimit, ke ndonjë pasion tjetër?
Unë kam pasion shumë muzikën, më pëlqen shumë dhe e shijoj muzikën. Fakti që vajza ime ka 11 vjet që studion për piano dhe duke i ndenjur vazhdimisht në kokë dhe shumë afër, duke ndjekur të gjitha koncertet e saj. I jam shumë mirënjohëse vajzës time që, dashur pa dashur, ka ndikuar edhe në kultivimin e shijeve të muzikës. Një koncert për piano orkestër unë e shijoj, madje kam arritur deri aty sa them: “Shiko se nuk ishte shumë i zoti pianisti apo pianistja në këtë pjesë, nuk dhanë maksimumin”. Jam kultivuar shumë në këtë kuptim. Dhe për këtë u jam mirënjohës fëmijëve të mi që studiojnë për muzikë të dy.
Së fundi u shfaq premiera “Romancë dashurie”. Ti kishe rolin e Marinës. Çfarë ishte për ty ky rol?
Ishte një komedi italiane mjaft e bukur, e shkruar nga Aldo Benedeti. Erdhi nga regjisori Milto Kutali, një artist i talentuar, sidomos në fushën e komedisë. Roli i Marinës ishte roli i një gruaje pasiononte, me shumë sinqeritet. Marina ishte një grua që dinte të vendoste një marrëdhënie sa të sinqertë, aq dhe me personalitet. Ishte një grua që luftoi për të mos humbur familjen e saj. Unë personalisht nuk do të isha dakord me zgjedhjen që ajo bëri, por në momentet e fundit do të isha dakord dhe kështu do të kisha vepruar edhe unë. Shfaqja u prit jashtëzakonisht mirë, publiku na ka përgëzuar për këtë dhe na kanë thënë që ia vlejti që e kemi parë këtë shfaqje dhe në këmbë. Menjëherë pas Vitit të Ri do të shfaqet përsëri, pasi kërkesat kanë qenë të mëdha. Më këtë shfaqje kam punuar me dy artistë të merituar të Teatrit Kombëtar, Roland Trebickën dhe Bujar Asqeriun. Është fat për mua që kam punuar me dy mjeshtër të skenës.
Cili ishte mesazhi që përcolli komedia “Romancë dashurie”?
Mesazhi i kësaj komedie ishte që familja është mbi gjithçka, njeriu për familjen duhet të bëjë të pamundurën dhe marrëdhënia në çift duhet të jetë sa më e civilizuar, larg dhunës, larg urrejtjes ekstreme.
Kush janë projektet e tua në një të ardhme?
Jo më larg se para dy ditësh u publikuan shfaqjet e reja që do të vihen në Tetarin Kombëtar. Deri tani nuk kam marrë ofertë ende, shpresoj të jem pjesë e këtyre shfaqjeve.
Filmografia
Dhimbja e dashurisë - (2008) duke u xhiruar
Nata - (1998)
Bolero - (1997)
Një djalë edhe një vajzë - (1990)
Pesha e kohës (1989)
Sinjal dashurie (1989)
Familja e ime (1987)
Eja (1986)
Kur hapen dyert e jetës (1985)
Gurët e shtëpisë sime (1984)
19 Dhjetor 2009