“HS Produkt” dhe Klik Ekspo Group prezantojnë risitë në fushën e armëve
Pas suksesit në SHBA, armët kroate i ofrohen tregut shqiptar . “HS Produkt”, zgjidhje e sigurt për Ushtrinë dhe Policinë
Heqja e kallashnikovit nga strukturat e rendit dhe të sigurisë në vendin tonë dhe për shkak të kërkesave në rritje të tregut pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, vjen një ofertë interesante në industrinë e armëve. Falë lobimit dhe punës së Klik Ekspo Group, menjëherë pas Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, kompania kroate “HC Produkt” ka vënë në shënjestër tregun tonë. Pistoleta të kalibrave të ndryshëm dhe armë automatike, të testuara në tregjet perëndimore, konsiderohen një zgjidhje dinjitoze përballë konkurrentëve të fortë si “Berretta” apo arma automatike “H&K”. Armët e prodhuara nga kompania me një histori suksesi prej 17 vjetësh, i rrisin standardet profesionale strukturave të ushtrisë dhe i garantojnë më shumë siguri paqeruajtësve tanë në misionet ushtarake në Afganistan, Irak apo Çad. Prodhuesi dhe furnizuesi kryesor me pistoleta dhe pushkë i Forcave të Armatosura dhe Policisë kroate ka ardhur në Tiranë, ku ka prezantuar gamën e produkteve. Në Regjimentin e Forcave Komando në Zall-Herr, një prej reparteve elitë në Forcat tona të Armatosura, janë kryer testime, prova dhe njohje me armët e kompanisë “HS Produkt”. Në një organizim të përkryer nga Klik Ekspo Group, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të Policisë, forcave RENEA, Policisë Bashkiake dhe njësive të tjera të armatosura, janë njohur nga afër me armët më të fundit të “HS Produkt”.
Prezantimi
Në mjediset e Regjimentit Komando është bërë prezantimi i të gjitha armëve që prodhon kompania kroate. Në këtë eveniment ishin të pranishëm komandanti i Përgjithshëm i Forcave Detare, Kristaq Gerveni, drejtues të RENEA-s, të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake të Tiranës. Po ashtu, mori pjesë edhe ambasadori i Kroacisë në vendin tonë, i cili ka ofruar mbështetje për vendosjen e urave të bashkëpunimit të “HC Produkt” dhe strukturave shtetërore. Kristaq Gerveni, zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, bëri vlerësime maksimale edhe për kompaninë “Klik Ekspo Group”, si organizator i aktiviteteve ku shfaqen dhe testohen edhe produkte të tilla si armët.
Gjatë prezantimit të pistoletës HS-9 dhe pushkës VHS-NATO, e modeleve të tjera të modifikuara të këtyre armëve, drejtues të kompanisë kroate thanë se këto janë armët lider në Shtete e Bashkuara të Amerikës, Kroaci dhe vende të tjera. Po gjatë prezantimit dhe testimeve të kryera në poligonin e Zall-Herrit nga dhjetëra të pranishëm u pranua cilësia mëse e pëlqyeshme e armëve, prakticiteti dhe, mbi të gjitha, nevoja që ushtari shqiptar të jetë modern, si të gjithë kolegët e tij në një vend anëtar të NATO-s. Vetë komandanti i Regjimentit Komando, Dritan Demiraj, tha se tanimë Ushtria shqiptare ka hyrë në rrugën e mbarë të modernizimit. Prej muajsh disa reparte kanë kryer dhe po kryejnë reformat e nevojshme dhe shumë shpejt, të gjitha repartet e Forcave të Armatosura, do të renditen të barabarta përkrah ushtrive të vendeve të tjera.
Kërkesat e tregut
Deri tani strukturave të Ushtrisë dhe Policisë shqiptare iu diktua një teknologji dhe pajisje ushtarake lindore, sot e dalë mode dhe jashtë standardeve që kërkon një vend i integruar në strukturat ushtarake euroatlantike. Një situatë e tillë ka shërbyer si shtysë edhe për “HS Produkt”. Zeljko Pavlin, drejtori i Përgjithshëm i kësaj kompanie, thotë se blerja e të gjitha pajisjeve të një ushtari është e pashmangshme, çka e ka bërë tregun shqiptar tërheqës. “Shqipëria ka nevojë për produkte dhe mjete moderne. Ne mendojmë se Forcat e Armatosura dhe ato të Policisë, por dhe të tjera, kanë nevojë për produktet tona”, - tha Pavlin. Ai bëri një prezantim të shkurtër, duke shtuar se pistoletat dhe pushkët automatike tashmë janë në duart e ushtarakëve shqiptarë dhe po testohen prej tyre për saktësinë, thjeshtësinë, sigurinë dhe rezistencën e tyre. Drejtuesi i “HS Produkt” shtoi se armë të tilla janë në ushtrinë kroate, në misionet paqeruajtëse kroate nëpër botë, por ato janë përzgjedhur edhe nga strukturat policore amerikane apo europiane. Një përzgjedhje e tillë do të ishte profesionale, por edhe e merituar në duart e ushtarit apo policit shqiptar.
Historia e “HS Produkt”
Historia e “HS Produkt” nisi 17 vjet më parë, fill pas shkëputjes së Kroacisë nga Federata Jugosllave dhe vendosja e një sistemi demokratik në vend. Puna me profesionalizëm dhe pasion e rriti çdo vit këtë kompani private në prodhimin e armëve të llojeve të ndryshme. Pistoleta e “HS Produkt” korri tri trofe si arma më e mirë e këtij lloji në vitet 2003, 2006 dhe në vitin 2009. Armët e tyre përdoren masivisht në të gjitha strukturat e rendit dhe sigurisë në Kroaci. Kjo qe arsyeja që i hapi rrugës kësaj kompanie për të qenë e suksesshme në tregun amerikan. “Policët amerikanë, por edhe forcat speciale në SHBA, përdorin pistoletën tonë”, - thotë Pavlin. Sipas tij, brenda një periudhe 9-vjeçare janë shitur 1 milion armë. Pistoleta HS-9 është modeli bazë më i shituri dhe më i suksesshmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si për tregun ushtarak, ashtu dhe për privatët.
Tiparet e armëve
“Jemi e vetmja pistoletë në botë që kemi treg për të gjithë klientët”, - thotë eksperti i “HS Produkt”. Sipas tij, “HS-9 përdoret kollaj dhe nga femrat, apo nga personat që kanë duar të vogla. Këmbëza e veçantë e HS-9 lejon qitje më të madhe dhe më të mirë, krahasuar me konkurrentët. Po kështu, thjeshtësia në përdorim, shënjestra dhe mënyra e të qëlluarit janë pikat tona të forta”. Një çelës suksesi është përbërja e materialit me të cilin prodhohet pistoleta apo armët e tjera. Në konstruksionin e HS-9 ka përbërje polimeri dhe metali, çka sjell precizion të njëjtë të pistoletës edhe pas 20 mijë të shtënash. Arma nuk nxehet, nuk bymehet, apo humbet cilësinë e saj në të shtënë. “Pistoletat tona kanë tri sisteme direkte sigurie: te këmbëza, te doreza dhe te bllokuesi”, - thotë specialisti i kompanisë kroate. Po kështu, kanë dhe dy sisteme të tjera sigurie, që mund të quhen si pajisje shtesë. “Si rezultat i këtyre, ju garantojmë me 100 për qind që armët tona nuk kryejnë shkrepje aksidentale”, - thonë tekniku i “HS Produkt”. Në testimet e kryera në SHBA, ato nuk i humbasin parametrat e tyre as në temperatura –7 gradë, apo +90 gradë; e ruajnë fuqinë e tyre edhe kur hyjnë në ujë, apo bien nga lartësitë.
Forcat Komando: Modernizimi, nevojë urgjente
Vetë pjesëtarët dhe drejtuesit e Forcave Komando thonë se nevoja për modernizim është urgjente për Forcat e Armatosura. Komandanti i këtij regjimenti, Dritan Demiraj, thotë se shumë punë ka për të bërë dhe se lidhjet me kompani, tregje, prodhues dhe shitës të armëve e pajisjeve ushtarake janë mëse të nevojshme. Demiraj pohon për mediat se “angazhimi i Forcave të Armatosura dhe ushtrisë përkrah forcave dhe vendeve të NATO-s kërkon si nevojë modernizimin e ushtarit tonë e njësive shqiptare të Ushtrisë”. “Ne si Regjiment, por dhe të gjitha Forcat e Armatosura, po punojmë shumë për t’u reformuar dhe për të renditur sa më parë përkrah ushtrive të vendeve të NATO-s”, - tha Demiraj. Ai theksoi se prej muajsh punohet, si në modernizim e armëve, pajisjeve dhe mjeteve ushtarake, ashtu dhe në reformimin e sjelljes, reagimit dhe gjithë veprimeve që duhet të kryejnë Forcave të Armatosura.
Klik Ekspo Group, një tjetër histori suksesi
Pasi kanë kontaktuar me kompani të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë, kanë testuar tregun dhe janë njohur me gjendjen aktuale të Forcave të Armatosura, drejtues të Klik Ekspo Group, duke u bazuar dhe në eksperiencat e tyre të suksesshme, vendosën që të ndërtojnë urat e lidhjes mes blerësve dhe shitësve në tregun e ri në Shqipëri për armët dhe pajisjeve ushtarake. Elona Agolli thotë se hapi i parë në këtë fushë pritet të konkretizohet në tetorin e vitit 2010, kur do të lançohet “Albanian Military Exhibition”, ose Panairi i Parë Ndërkombëtar i Mbrojtjes dhe Sigurisë, i cili do të zhvillohet nën patronazhin e Klik Ekspo Group. Duke iu përshtatur nevojave të Forcave Komando, atyre Speciale, Forcave të Armatosura dhe atyre Detare, drejtues të Klik Ekspo Group thonë se do të përgatisin terrenin e përshtatshëm për dukuritë e reja ekonomike e biznesore në vend. Së pari, forca e armatosura duhet të reformohen thellësisht, pasi misioni i tyre tanimë me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nuk është ai me të cilin kanë vepruar gjithë këto vite. Kjo sjell nevojën e njohjes dhe përshtatjes së pajisjeve ushtarake sipas standardeve të Aleancës. Nga ana tjetër, duke nuhatur këtë treg tërësisht të ri, dhjetëra biznese që operojnë në këtë sektor kanë nevojë që të prezantojnë produktet e tyre. Për të lidhur bashkë këto dy aktorë në tregun që u hap, kompania “Klik Ekspo Group” do të kthejë në traditë dhe ngulisë në tregun shqiptar risinë që pritet të sjellë “ALMEX, Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë. “Albanian Military Exhibition” do të tregojë bukurinë dhe potencialet e tij gati një vit përpara konkretizimit të stendave.
Aktiviteti i Zall-Herrit është i dyti i këtij lloji brenda pak javësh, që organizohet nga Klik Ekspo Group. Tanimë, është plotësuar dhe kuadri ligjor që ka hequr monopolin e import-eksportit të armëve dhe pajisjeve luftarake. Me krijimin e Autoritetit Kontrollues Shtetëror të Eksporteve do të mbikëqyret dhe tregu i krijuar rishtas në Shqipëri.
19 Dhjetor 2009