Anjelët "inspektim" te Juventusi
Pas dy vizitave, të martën dhe të mërkurën, të presidentit bardhezi, Zhan Klod Blank, në paraditen e djeshme, në qendrën stërvitore të Juventusit, Vinovo janë shfaqur Andrea Anjeli dhe Xhon Elkan. Një episod anomal, që nuk ka kaluar pa vënë re, ndoshta i paprecedentë. Dy pinjollët e familjes së famshme italiane kanë qëndruar me skuadrën për afro 45 minuta. Përshëndetje dhe urime: për Vitin e Ri, për dalje sa më të shpejtë nga kriza e rezultateve dhe për të hedhur pas shpine dëmtimet e shumta, me Juventusin që ngjason më shumë si një spital sesa me një ekip futbolli. Vizita e tyre ishte domethënëse: dy degët e familjes Anjeli, djali i Umbertos dhe nipi i Avokatit, janë bashkuar në një moment mjaft delikat. Pavarësisht se shpesh është diskutuar për rivalitetin ndërmjet dy kushërinjve, Andrea dhe Xhon treguan të kundërtën.