E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtim Spahivogli "rikthehet" në Shkup

Kujtim Spahivogli "do të rikthehet" në Teatrin e Shkupit. Në atë skenë ku ngjiti suksesshëm "Karnavalet e Korçës", aktori dhe regjisori i njohur do të vijë përmes filmit dokumentar, "Kthimi në tempullin e shenjtë", i regjisorit Namik Ajazi. Një realizim i vitit 2005 do të shfaqet të dielën në mbrëmje, ora 19:00, në Teatrin Shqiptar të Shkupit, në prani të personaliteteve kulturore, por edhe miqve e kolegëve që kujtojnë Spahivoglin e 40 e ca viteve më parë. Pas premierës katër vite më parë, përmes imazhesh e kujtimesh, Spahivogli rikthehet në skenën e Shkupit, gjë të cilën nuk e bëri dot në jetën reale të mbushur plot drama.

"Besoj që ngasja e parë për ta bërë këtë premierë në Shkup më ka lindur që në momentin kur ne xhironim filmin për të madhin Spahivogli. Kujtoj që ka qenë fund nëntori dhe ne shkuam atje pasi kishim rënë dakord me drejtorin e atëhershëm të teatrit shqiptar, aktorin Bajrush Mjaku, i cili na mundësoi që të shikonim ato pak arkiva që ishin nga një shfaqje e suksesshme që Kujtim Spahivogli asokohe ka vënë në Teatrin e Shkupit, "Karnavalet e Korçës" të Spiro Çmorës, një shfaqje që pati një jehonë të jashtëzakonshme dhe turne në disa qytete shqiptare. Shkuam me mendimin për të gjetur një copëz të vogël të jetës artistike të Spahivoglit dhe mua më ngacmoi mjaft ideja se ata pak aktorë që mundën të vinin në atë nëntor të ftohtë në Shkup, kishin udhëtuar me kilometra të tëra, kishin sjellë me vete gazeta të kohës dhe foto, por mbi të gjitha kishin një emocion të jashtëzakonshëm kur flisnin për figurën e Kujtimit. Ndaj aty për aty vendosëm së bashku me Valter Qarrin, operatorin e filmit, ta sillnim edhe në Shkup. Mendoj se është e rëndësishme kjo festë e vogël, sepse shqiptarët, por edhe regjisorët serbë, maqedonas, regjisorët që asokohe punonin në Teatrin e Kombësive, e vlerësuan shumë dhe panë një kapacitet të madh të një regjisori, i cili vinte me të tjera vizione si nga ana e skenografisë, si nga ana e gjetjeve artistike, ashtu edhe nga ana e interpretimit", shprehet regjisori Namik Ajazi. Ai beson se do ta rigjejë sërish këtë emocion në sallën e Teatrit shqiptar në Shkup. Deri në fund të jetës së tij, më 7 korrik të 1987-ës, Kujtim Spahivoglit i ngeli peng rikthimi në skenë. Prej vitit 1973 e larguan nga skena e teatrit, e larguan nga auditorët e Akademisë së Arteve dhe e persekutuan fillimisht në Fier, ku punoi në bonifiko, më tej në Bërzhitë, në periferi të Tiranës. U quajt liberal, rebel dhe për mungesë të kompromisit vuajti vetë bashkë me familjen. "Mendoj që shqiptarët e asaj kohe, rreth vitit ‘70-të, që kanë pasur mundësi të ndjekin suksesin e Spahivoglit në Shkup, do të kenë mundësinë tani të ndjekin jetën plot dramë të këtij regjisori të madh, i cili iu kushtua teatrit, vuri me shumë sukses përpos komedisë edhe shumë drama, ashtu sikundër edhe vetë jeta e tij u kthye në një dramë të madhe", thekson Ajazi. "Kthimi në tempullin e shenjtë" është një titull simbolik që vetë Spahivogli e kishte gjetur gjatë kohës që e lanë të punonte në teatër. Ai e quante "tempull të shenjtë" atë skenë, nga e cila e ndanë dhunshëm. I diplomuar shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956, pas kthimit në Tiranë emërohet në të njëjtin vit aktor në Teatrin Kombëtar. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte Xherxhinski në dramën "Orët e Kremlinit", dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat "Majlinda", "Në anën tjetër", "Dragoi i Dragobisë", "Hamleti" etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura, sot Akademia e Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: "I Çuditshmi", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Në tufan", "Shtëpia në bulevard", "Drita", "Karnavalet e Korçës", "Qielli i kuq" etj. Pas vdekjes, në vitet ‘90 iu dha titulli "Artist i Popullit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›