E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri vëllime nga Imzot Rrok Mirdita

Në ambientet e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura është organizuar dje paraqitja e veprës në tri vëllime të Imzot Rrok Mirditës, arqipeshkv në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës. Tri vëllimet që i bashkon titulli "Për një Shqipëri me Zotin...", janë përgatitur nën kujdesin e Marjan Palokës, Marjan Lumçit dhe Gjergj Metës. Që nga fillimi i mandatit të tij si ipeshkëv dioqezan, Imzot Mirdita ka vënë re nevojën për një ungjillëzim të ri në Shqipëri. Ai ka shkruar: "Një kishë që jeton në dëgjesën e Ungjillit dhe e shpall atë, është kishë në shërbim të shoqërisë". Dhe gjatë këtyre viteve si arqipeshkv ka pasur kënaqësi të pranojë në dioqezën e vet shumë misionarë që kanë zbatuar dhe ende zbatojnë këtë mision fisnik: ungjillëzimin. Edhe më të rëndësishme janë këto shkrime nga pikëpamja historike. Imzot Rrok Mirdita ka parë rilindjen e Kishës në Shqipëri, dhe veçanërisht në arkidioqezën e vetë, Tiranë-Durrës. Ndërsa në fjalën e saj pedagogia Gentiana Skura u shpreh se "sfidat e kishës shqiptare dhe Imzot Rrok Mirditës ishin të mëdha në një Shqipëri, e cila kishte pësuar një goditje të rëndë për shkak të komunizmit. Të mos harrojmë vendimin e vitit 1967 që mbylli të gjitha objektet e kultit dhe e shpalli Shqipërinë si të vetmin vend ateist në botë. Objektet e kultit u shkatërruan, disa u kthyen në magazina, madje edhe stalla kafshësh. Në këto kushte, Rrok Mirdita kishte përpara detyrën e ringjalljes shpirtërore të popullit shqiptar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›