E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blater: Sa të jem unë, nuk ka moviolë

Presidenti i FIFA-s, Jozef Blater, synon të rikandidojë edhe për një tjetër mandat në krye të federatës botërore të futbollit. Kjo u kuptua gjatë konferencës për shtyp të organizuar gjatë Botërorit për klube. "Kam ende edhe shumë gjëra për të realizuar te FIFA. Zgjedhjet? Ka edhe dy vjet kohë, gjithsesi presidenti zgjidhet nga Kongresi dhe nëse ata më japin votëbesimin do ta mirëpres këtë vendim", tha Blater. Më tej, 73-vjeçari u përqendrua te diskutimet për futjen në përdorim të moviolës në fushë. Nga Emiratet Arabe ai rikonfirmoi qëndrimin që ka: "Futbolli do të vdesë në ditën kur ndeshjet do të ndërpriten, pasi gjyqtari dëshiron të shohë pamjet filmike të aksioneve. Tifozëve nuk do t‘u mbetet asgjë për të diskutuar dhe ata do të braktisnin stadiumet. Nuk e di çfarë do të ndodhë kur unë mos të jem më te FIFA, por aktualisht moviola nuk hyn në axhendën tonë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›