Koleksionistët ekspozojnë pikturat e familjes
Familje të njohura korçare, të cilat kanë ruajtur e koleksionuar piktura të gjinive e autorëve të ndryshëm, kanë zgjedhur t‘i ekspozojnë ato në ekspozitë të përbashkët, e cila realizohet për të tretin vit radhazi në Korçë. Veprat të cilat u përkasin autorëve shqiptarë, por edhe të huaj, të larmishme për nga teknikat, stilet dhe gjinitë ashtu siç janë mbledhur dhe koleksionuara nga pasioni i këtyre familjeve për artin e bukur, janë paraqitur në këtë ekspozitë krejt të veçantë për publikun korçar. Në këtë edicion të radhës kanë marrë pjesë 12 koleksionistë nga Korça me të cilët janë bashkuar këtë vit edhe dy artistë pogradecarë. Në galerinë e arteve "Guri Madhi" koleksionistët janë paraqitur me 53 punime. Një nga koleksionistët, Lorenc Glozheni, njëkohësisht drejtor i muzeut të artit mesjetar ka paraqitur në këtë ekspozitë 13 punime. Ai thotë se kjo është një nga ekspozitat më të veçanta të traditës korçare. "Koleksioni im është krijuar fillimisht me piktura të vjetra të familjes. Më pas duke pasur kontakte të shpeshta me piktorët kam zgjeruar fondin duke e pasuruar me vepra të ndryshme", thotë Glozheni. Koleksionistët shprehen se ky është një pasion i veçantë, por edhe pjesë e një trashëgimie të traditës qytetare korçare. Ndërsa fotografi pogradecar, Ardian Fejzollari për herë të parë bëhet pjesë e kësaj ekspozite të veçantë. Ai thotë se ka sjellë dy piktura autorët e së cilave janë rumunë. Ekspozita e koleksionistëve në Korçë konsiderohet si një aktivitet i rëndësishëm kulturor përmes të cilit pasqyrohet kultura qytetare korçare.
J.Dhimitri