E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Peqin nuk humbin kohë, Daiu zëvendësues i Miles

Shkumbini e harron shumë shpejt Kristaq Milen. Drejtuesit e klubit peqinas nuk humbën kohë dhe vetëm 24 orë pas shkarkimit të trajnerit, kanë gjetur drejtuesin e ri të stolit. Ai është Përparim Daiu, ish-lojtari i njohur kavajas, që si profesionist ka mbrojtur ngjyrat e Besës, Partizanit, Teutës, Flamurtarit e Luftëtarit. 39-vjeçari merr drejtimin e një skuadre profesioniste pas dy vjetësh shkëputjeje: 2006-2007 ka qenë sezoni i fundit kur Daiu ishte aktiv, në atë periudhë ai drejtonte Besën. Ai bëhet trajneri i tretë i skuadrës në këtë sezon, pas Maganit, i cili dha dorëheqjen në javën e dytë dhe Miles, që punoi me ekipin për 13 javë, duke regjistruar 5 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje. Marrëveshja e firmosur me klubin përfundon në fund të edicionit, e nëse ecuria do të jetë e kënaqshme ajo mund të rinovohet. "Ndihem i gëzuar që drejtuesit e Shkumbinit menduan të ma besonin mua stolin. Pranova menjëherë, duke vlerësuar shumë elementë, siç janë objektivat e ekipit, mbështetja financiare që asnjëherë nuk mungon, por edhe për tifozerinë e zjarrtë të këtij qyteti", deklaroi tekniku i ri. Daiu do të debutojë të shtunën në sfidën ku Shkumbini pret në shtëpi Dinamon: ata do të kërkojnë t‘i japin fund ecurisë pozitive të bluve, edhe sepse aktualisht ata ndodhen në vendin e 7-të në Superiore, me 18 pikë të grumbulluara në 15 javë. Peqinasit kanë humbur 2-1 në sfidën e luajtur në Tiranë, gjatë fazës së parë me skuadrën e Shkëlqim Muçës. Megjithatë, Shkumbini është një "kockë e fortë" kur luan në fushën e saj. Në shtatë takime të zhvilluara përpara publikut në qytetin e vogël të Shqipërisë së mesme në 15 javët e para të Superiores, skuadra ka regjistruar 5 fitore, një barazim dhe vetëm një humbje (me Besën në javën e dytë).

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›