"Avatar", një film përtej imagjinatës
Kur u ngjiz ideja për të realizuar një film si "Avatari" 15 vite më parë, ende nuk ekzistonin mjetet e duhura për ta sjellë në ekranin e madh të kinemasë. Tashmë, pas katër vitesh pune, "Avatar", filmi me regji e skenar të James Cameron, prej datës 16 dhjetor deri në 18 shënon premierën botërore. Si shumë vende të tjera, edhe Shqipëria është bërë pjesë e kësaj premiere absolute. Duke filluar që sot, filmi do të shfaqet në kinema "Imperial" në Tiranë për publikun. "Avatar", një film aksion, me elemente të reja të efekteve speciale, do të përcjellë një eksperiencë kinematografike tërësisht të re. "Avatar" është një film fantashkencë, i realizuar në 3D. Ai do të shfaqet sot në orën 21:00, në sallën numër një të kinema "Imperial" në Tiranë. Avatar është një projekt kinematografik i krijuar prej James Cameron gjatë vitit 1995. Atë vit regjisori shkroi 80 faqe të skenarit, por pavarësisht vullnetit për ta realizuar këtë film, Cameron-it iu desh ta arkivonte për t‘iu kushtuar një projekti më konkret dhe të shumëpritur filmi "Titanic". Regjisori ka thënë se frymëzimin për të shkruar skenarin e këtij filmi e ka marrë prej sagës letrare fantashkencore "John Carter nga Marsi" shkruar prej Edgar Rice Burroughs. Camerun dëshironte ta kthente atë në të ardhmen dhe se në historinë e tij njerëzimi do të vinte si skllav në kërkim të pushtimit të universit. Ngjarjet e filmit janë vendosur në vitin 2154, në një planet të quajtur Pandora, shumë të ngjashëm me tokën sa u përket dimensioneve dhe formave të jetës. Një shoqëri ndërplanetare tokësore RDA-ja, dëshiron të pushtojë këtë planet për shkak të pasurive të shumta minerare, e mbi të gjitha për një mineral të veçantë të quajtur Unobtainium, që gjeneron fusha të forta magnetike. Pandora është e mbuluar nga pyje të dendura me pemë të larta deri në 300 metra. Është një planet i banuar nga krijesa të ndryshme mes të cilave edhe disa shkencëtarë humanoidë të quajtur Na‘Vi, të gjatë tre metra, lëkura e të cilëve është ngjyrë blu me vija si tigri. Ajri në Pandora nuk është për njerëzit, për këtë arsye këta të fundit kanë zhvilluar një lloj hibridi mes njerëzve dhe Na‘Vi-të, pra avatarët. Një qenie njerëzore mund të kontrollojë një avatar duke e lidhur me sistemin e vet nervor: individi hyn në një lloj kome dhe nëpërmjet ndërgjegjes arrin të përdorë avatarin si një shtrirje të trupit të tij. Tokësorët duhet të kontrollojnë avatarin për t‘u infiltruar në popullatën Na‘Vi. Protagonisti (Sam Worthington) bëhet gjithnjë e më shumë afërt me popullatën e pushtuar nga njerëzit dhe në fund do t‘i duhet të zgjedhë nga cila anë të qëndrojë. Për regjisorin tjetër të njohur, Steven Spielberg, njëkohësisht edhe mik i James Cameron "Avatar" është një kryevepër teknike, vizive dhe emocionale. "Gjatë projeksionit nuk arrija t‘u besoja syve. Është filmi më i bukur fantashkencor që kam parë qysh nga koha e "Lufta e Yjeve". Me këtë film Cameron ka ngritur lart nivelin e gjinisë fantashkencore në stil, teknikë e skenar. Tani kushdo që dëshiron të realizojë një film fantashkencor, duhet të përballet fillimisht me të dhe me filmin e tij", ka thënë regjisori Syeve Spielberg. Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Sam Worthington, Sigourney Weaver, Michelle Rodriguez, Zoe Saldana dhe Giovanni Ribisi. "Avatar" është filmi i parë, i cili përdor logon e re të 20th "Century Fox".