Konflikti për pronën, masakron për 5 metra tokë gjyshin
BERAT – Konfliktet për pronën kanë sjellë një tjetër çudi në jetën shqiptare. Nipi ka dhunuar barbarisht nipin e tij pas një debati për 5 metra tokë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Galinë të komunës së Sinjës në rrethin e Beratit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se shtetasi Ramazan Dushku ka keqtrajtuar gjyshin e tij Hasan Dushku, 75-vjeç. I moshuari ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Beratit dhe ka pësuar fraktura në trup. Bashkëshortja e Hasanit ka bërë denoncimin dhe policia ka shpallur në kërkim bëri menjëherë ndalimin e Ramazan Dushkut, i cili akuzohet për veprën penale të plagosjes.
Ngjarja
Ramazan Dushku, sapo ka marrë vesh se gjyshi i tij ishte kthyer nga Durrësi për të bërë një vizitë në vendlindjen e tij, ka shkuar menjëherë në shtëpi. Në orët e vona të mbrëmjes, 75-vjeçari ishte i vetëm, pasi bashkëshortja e tij kishte shkuar te të afërmit për të bërë një vizitë. Në momentin që po përgatitej për të ngrënë darkën, Hasani ka dëgjuar disa të trokitura te dera e jashtme. Ai ka dalë dhe ka parë nipin e tij. Pa thënë asnjë fjalë, Ramazani ka ushtruar dhunë ndaj gjyshit, duke e qëlluar me grushte dhe mjete të forta në kokë dhe gjymtyrë. I moshuari është rrëzuar në tokë pa ndjenja, ndërkohë që nipi i tij, Ramazani, është larguar në drejtim të paditur. Pak minuta më vonë është kthyer në banesë bashkëshortja, e cila ka gjetur Hasanin të shtrirë në dysheme, në një gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo ka njoftuar familjarët, të cilët e kanë dërguar të plagosurin me urgjencë drejt spitalit.
Hasan Dushku është shtruar në repartin e Kirurgjisë të Spitalit Rajonal të qytetit të Beratit, ku ai ka qëndruar për më shumë se 12-orë, në gjendje kome. Mjekët pohojnë se gjendja e pacientit, edhe pse është jashtë rrezikut për jetë, paraqitet e rëndë. Si pasojë e goditjeve të marra në pjesë të ndryshme të trupit, 75-moshuarit i është shkaktuar paralizë në krahun dhe këmbën e majtë.
Motivet
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se shkak për këtë ngjarje ka qenë një konflikt i mbartur prej vitesh, në lidhje me një rrip toke 5 metra të gjatë, për të cilën Ramazani pretendonte se i ishte prona e tij dhe jo e xhaxhait. Menjëherë, në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë,të cilët kanë mundur të arrestojnë autorin, 32-vjeçarin Ramazan Dushku, menjëherë pas ngjarjes. 75-vjeçari Hasan Dushku, shprehet për gazetën se gjithçka filloi në lidhje me pretendimet e nipit të tij se toka i takon me ligj dhe se këtë e ka vendosur edhe Komisioni i Ndarjes së Tokës në fshatin Sinjë. Tashmë ndaj Ramazan Dushkut kanë nisur hetimet për veprën penale që ka kryer.
5 Gusht 2008