Nuk paguan sigurimet, ndëshkohen 30 biznese
ELBASAN - Policia Tatimore e Elbasanit ka marrë masa administrative ndaj 30 subjekteve tregtare, pasi ato nuk kishin paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për personat e punësuar në to. Shefi i degës së Tatim-Taksave, Skënder Daja, tha dje se "gjatë aksionit të organizuar dy ditët e fundit të javës, u penalizuan me gjoba 30 subjekte për mospagimin e detyrimeve për sigurimet shoqërore". Nga ana tjetër, z. Daja bëri të ditur se nga kontrolli rezulton se 180 subjekte që ushtrojnë aktivitet në mjedise me qira në tregun industrial të qytetit nuk paguajnë sigurimet shoqërore, duke i shkaktuar arkës së shtetit një dëm prej 2,6 milionë lekësh. “Mos pagesa e kontributit për sigurimet shoqërore të 180 tregtarëve ka ardhur si pasojë e mungesës së bashkëpunimit me Bashkinë e Elbasanit përsa i takon evidentimit të shtetasve të punësuar në sektorin privat, pjesa më e madhe e të cilëve nuk paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore",- tha Daja. Sipas tij, problem mbetet regjistrimi i pjesshëm i bizneseve e sidomos i atyre që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun industrial dhe në vende të tjera brenda territorit të Bashkisë.
Gjatë 7 muajve të parë të këtij viti janë deklaruar në Institutin e Sigurime Shoqërore të Elbasanit janë deklaruar të siguruar 650 shtetas. Ndërkohë, numri i të punësuarve është shumë herë më i lartë, gjë që shkakton një evazion fiskal të lartë në tregun e sigurimeve.
5 Gusht 2008