Zjarri shkrumbon plantacionin me pemë frutore
BELSH - Një zjarr ka rënë mbrëmë në një plantacion të mbjellë me pemë frutore, kryesisht dardhë dhe mollë, në Kosovë të Belshit. Shefi i repartit zjarrfikës, Aleksandër Hodo, tha se “zjarri i rënë pasditen e së hënës në Kosovë të Belshit, rreth 60 kilometra larg qytetit të Elbasanit, ka djegur rreth 250 rrënjë pemë frutore të mbjella nga fermerët e zonës”. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy makina zjarrfikëse, qe me ndihmën edhe të banorëve të zonës, të cilët pas disa orësh bënë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve. Ky zjarr është më i madhi rënë këtë vit në qarkun e Elbasanit, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit.
Flakët e mbeturinave rrezikojnë urën e Bunës
SHKODËR – Zjarrit që iu kanë vënë mbeturinave për pak sa nuk kanë shkrumbuar edhe Urën e Bunës në Shkodër. Burime nga vendi i ngjarjes kanë bërë me dije se persona ende të paidentifikuar kanë dashur të djegin mbeturinat e hedhura pranë Urës së Bunës, por situata ka dalë jashtë kontrollit. Banorët, që kanë qenë në ato momente pranë urës, kanë njoftuar të alarmuar policinë dhe zjarrfikësit. Forcat e posaçme kanë mbërritur brenda një kohe shumë të shkurtër në vendin e ngjarjes dhe kanë vënë në kontroll situatën. “Për fat ndërhyrja ishte shumë e shpejtë, pasi flakët rrezikon urën, duke qenë se është edhe prej dërrase”, - thonë burimet nga Shkodra. Gjatë kësaj kohe nuk janë lejuar të qarkullojnë automjete apo këmbësorë përgjatë urës. Bllokim që ka vijuar për më shumë se 30 minuta.
5 Gusht 2008